Mitingjet përmbyllëse, PD-PS, “përplasen” në bulevard

Demokratët dhe socialistët do të kenë garën e tyre të fundit para zgjedhjeve të 8 majit, me mitingjet përkatëse që mbyllin këtë fushatë.
"Aleanca për të ardhmen" do të zbresë në orën 18:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para kryeministrisë kësaj here jo në një protest por në një miting nga ku do të drejtojnë thirrjen e fundit për të marrë votat e qytetarëve.
Vetëm një orë më pas “Aleanca për qytetarin” do të zbresë në sheshin “Nënë Tereza” nga ku do të shpalosin vizionin e tyre me të cilin do të kërkojnë besimin me votë.
Rruga që ndan hotel “Rogner” me kryeministrinë do të jetë edhe vija ndarëse e dy mitingjeve.
Policia ka deklaruar se ka marrë të gjitha masat për të garantuar ecurinë normale të dy takimeve elektorale dhe se do të fillojë të ndalë qarkullimin në bulevard nga ora 17:00 deri në orën 21:00 të ditës së premte.