Kosovë,Vulin: Udhëzimi nuk nënkupton njohje

Udhëzimi i qeverisë serbe për përfaqësimin rajonal të Prishtinës tregon se Serbia respekton nënshkrimet e saj, ka deklaruar shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin.
Sipas udhëzimit të nxjerrë të dielën në Beograd, Kosova, në tubimet rajonale, do të prezantohet në mënyrë asimetrike dhe në të gjitha dokumentet përcjellëse do të qëndrojë fusnota, por që nuk është e detyrueshme të qëndrojë në tabelë para përfaqësuesit të Prishtinës.
“Serbia do të jetë kudo dhe do të mbrojë interesat e qytetarëve të saj dhe çdo gjë që është e rregulluar me Rezolutën 1244 në Kushtetutën e Serbisë”, ka thënë Vulin, transmetojnë mediat serbe.
Ai ka mohuar se udhëzimi mund të nënkuptojë njohje jodirekte të pavarësisë së Kosovës.
Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshjen për përfaqësimin rajonal të Kosovës në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.
Të dyja palët e kanë interpretuar ndryshe marrëveshjen, duke bërë që përfaqësuesit e Serbisë shpesh të braktisin organizimet ku merrnin pjesë edhe përfaqësuesit kosovarë.
Marrëveshja parashikon përfaqësimin e Kosovës me fusnotë, e cila përfshin mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së pavarësisë dhe Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.