E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovën e humbëm, mos ta humbim edhe Europën

Kryetari i Unionit Socialdemokratik të Serbisë (SDU), Zarko Korac ka deklaruar se ka mbetur pak kohë që pushteti që po e zvarrit me vite Serbinë në izolim, në mënyrën e viteve ’90, ta kthejë politikën nxitëse në katastrofë.

“Ne duam ndryshim në politikën shtetërore, një politikë realiste ndaj Kosovës dhe vazhdimin e procesit të integrimit europian”, ka thënë Korac për Dnevnik.

Korac është nënshkrues i deklaratës “Ndryshimi”, të mbështetur nga parti politike, OJQ dhe figura të shquara publike serbe, të udhëhequra nga LDP’ja.

Në lidhje me vlerësimin e shefit të diplomacisë serbe, Vuk Jeremic, i cili ka thënë se ftesa për Ndryshim është ftesë për kapitullim, Korac ka thënë se është shqetësuese se si ministri jep deklarata që ngjajnë me ato të fundit të viteve ’90 të shekullit të kaluar, “se çdo propozim alternativ politik definohet si një kapitullim dhe tradhti”.

“Për fat të keq, unë mendoj se Tadic ka bërë ashtu si ka dashur, dhe hyri në këtë qorrsokak në të cilën ne jemi. Tash jemi shumë afër politikës ‘as Europa, e as Kosova’, por unë shpresoj se në fund nuk do të jetë kështu. Kosovën veç e kemi humbur, e tash mund ta humbim Europën, që më 9 dhjetor të mos e marrim statusin formal të kandidatit për anëtarësim në BE”, ka thënë ai.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›