E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovën n’zemër

Pas Mërgim Mavrajt, Kombëtarja shqiptare pritet të rekrutojë në radhët e veta edhe futbollistë të tjerë nga Kosova. Këtë fakt nuk e ka mohuar as selektori i ekipit kuqezi, Josip Kuze.

Trajneri kroat, pas ndeshjes ndërmjet përfaqësueses së Kosovës dhe Kombëtares B të Shqipërisë (2:3), pohoi se mesfushori i Halmstads, Anel Raskaj dhe mbrojtësi i Hysit, Fisnik Papuqi i kishin rënë në sy, derisa nuk përjashtoi mundësinë që në të ardhmen e afërt t’i vëzhgojë të dy këta nga afër.

Mirëpo, mesfushori prizrenas Anel Raskaj tregon se për momentin është i koncentruar në përfaqësuesen e Kosovës, ndërsa ndihet krenar që është pjesë e kësaj skuadre.

“Në zemër e kam Kosovën, kjo është numër një. Edhe Shqipërinë e kam në zemër, mirëpo pas Kosovës, pastaj vjen Suedia U-21. Nëse punët shkojnë ashtu si janë planifikuar, që nga viti i ardhshëm të fillojmë me ndeshje miqësore me ato shtete që e kanë njohur Kosovën, atëherë nuk do të jetë shumë zgjedhje e vështirtë për mua. Do ta zgjedh Kosovën”, ka thënë Raskaj për Express.

Megjithatë, anëtari i klubit suedez Halmstads nuk ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen ta veshë fanellën e ekipit kuqezi.

“Nëse me thërret Shqipëria, unë nuk jam kundër. Shqipërinë e dua. Është vështirë të thuhet tani se çfarë vendimi do te marr, nëse marr ndonjë ftesë. Unë duhet të konsultohem me familjen, rrethin e pastaj të vendos”, theksoi 20 vjeçari.

Mirëpo, përveç Kosovës dhe Shqipërisë, edhe përfaqësuesja U-21 e Suedisë ka shprehur interesim që talentin kosovar ta ftojë në skuadër.

“Në dhjetor e marr nënshtetësinë suedeze. Ende nuk kam folur me trajnerin e Suedisë U-21. Ata kanë dashur të me marrin më herët, por Suedia në zgjedhjen time është në vendin e tretë”, deklaroi ai.

Në vitin 2007 Raskaj ka debutuar në elitën e futbollit suedez me skuadrën Halmstads, me të cilin klub ka kontratë edhe për dy vite.
Përveç Raskajt e Papuqit, Kuze më herët pati deklaruar se është duke vëzhguar edhe dy futbollistët kosovarë: Valdet Ramën, i cili luan në Bundesliga me Hannoverin, dhe Andis Shalën, i cili aktivizohet te klubi skocez Dundee United.

Aktualisht në Kombëtaren shqiptare luajnë gjashtë kosovarë: Arian Beqaj, Lorik Cana, Armend Dallku, Debatik Curri, Besart Berisha dhe Samir Ujkani, derisa shumë shpejt atyre pritet t’u bashkohet edhe Mërgim Mavraj.

Ndërsa në të kaluarën fanellën kuqezi e kanë bartur edhe Besnik Hasi, Mehmet Dragusha, Bekim Kastrati dhe Blerim Rrustemi.

Papuqi ndihet krenar pasi mori lëvdata nga Kuze

Përveç që lavdëroi Anel Raskajn, Josip Kuze tha se i ka pëlqyer edhe paraqitja e reprezentuesit tjetër kosovar, Fisnik Papuqi.

Mbrojtësi i Hysit, Fisnik Papuqi ndihet mirë që mori lëvdata nga Kuze, derisa thotë se me shumë kënaqësi do ta vishte fanellën kuq e zi të Shqipërisë, nëse një mundësi e tillë do t’i jepej nga trajneri i ekipit kuqezi.

“Ndihem krenar, pasi kam marrë lëvdata nga Kuze. Unë me plotë dëshirë do ta pranoja ftesën e tij për të luajtur me ekipin kombëtar, sepse kjo dëshirë ekziston te çdo futbollist shqiptar. Do të ishte një mundësi e mirë për karrierën time për të luajtur me Shqipërinë, e mbi të gjitha do të ndihesha shumë krenar që t’i mbroja ngjyrat kuq e zi”, deklaroi Papuqi për Express.

“Unë do të luaja me Shqipërinë, pasi do të konsultohesha me Federatën e Futbollit të Kosovës. Dihet se Kosova ende nuk është pjesë e FIFA-s, andaj do të ishte mirë t’i ndihmoja ekipit kombëtar të Shqipërisë, nëse kjo e fundit ka nevojë për mua”, shtoi 26 vjeçari.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›