Kosovë,pavarësia,policia masa për qetësi

Policia kosovare ka bërë të gjitha përgatitjet për të siguruar menaxhimin e situatës në ditën e shënimit të përvjetorit të parë të pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ndihmësi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës për operativë, Shpend Maxhuni ka deklaruar se forcat policore kanë parashikuar një mbulim operativ, ku do të përfshihet edhe veriu i vendit. Ndërkohë që Policia e Kosovës do të ndihmohet edhe nga EULEX-i dhe KFOR-i në rast se do të ketë ndonjë trazirë në këtë pjesë të Kosovës. "Policia do të veprojë konform situatës dhe ligjit dhe nëse do të ketë nevojë, ne do të kemi edhe mbështetjen e EULEX-it", është shprehur Maxhuni. Maxhuni tha se do të ketë numër të shtuar të policisë nëpër rrugë dhe në patrullim, mirëpo sipas tij, nuk është parashikuar ndonjë bllokim i rrugëve.
Policia e Kosovës ka bërë apel tek qytetarët që të festojnë në mënyrë dinjitoze, ashtu siç ka ndodhur edhe me rastin e shpalljes së pavarësisë së vendit me 17 shkurt 2008.