Kosovë,vëllai i Thaçit kër 6 mijë euro pagë

Hashim Thaçi
Bordi Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, nuk e ka aprovuar dorëheqjen e parevokueshme të drejtorit ekzekutiv të kësaj shoqatë, Gani Thaçi, pasi që kontributi i tij në shoqatë është konsideruar si i domosdoshëm në këtë proces. Gani Thaçi ka kërkuar 6.000 euro pagë, si kusht për të vazhduar punën si drejtor Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimeve.
Javën që lamë pas – Gani Thaçi, vëllai i kryeministrit të Kosovës – i ka paraqitur bordit të shoqatës dorëheqjen, por një kërkesë e tillë nuk është aprovuar nga bordi i Shoqatës, raporton e përditshmja kosovare Zëri.
Rrahim Pacolli, kryetar bordi i Byrosë Kosovare të Sigurimeve ka konrmuar se bordi i shoqatës që drejton ai nuk e ka aprovuar dorëheqjen e parevokueshme të drejtorit Thaçi. Është e vërtetë që ai javën që lamë pas ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të Shoqatës, por bordi nuk e ka pranuar kërkesën e tij për dorëheqje, pasi që kontributi i tij në shoqatë është më se i domosdoshëm, tha ai.
Por, burime të besueshme të gazetës brenda Shoqatës thonë se një nga arsyet pse drejtori Gani Thaçi ka ofruar dorëheqjen ka qenë paga. Drejtori ka kërkuar që paga e tij të rritet nga 4.000 euro, sa e ka tash, në 6.000 euro. Kjo ka qenë një nga arsyet pse drejtori Thaçi i ka ofruar dorëheqjen bordit të shoqatës, tha burimi i besueshëm i gazetës brenda Byrosë Kosovare të Sigurimeve.
Një gjë të tillë e mohon Pacolli. Ai thotë se dorëheqja është bërë për arsye personale. Nuk është e vërtetë që drejtori ka kërkuar ti rritet paga për 2.000 euro, ka thënë Pacolli nëpërmjet telefonit.
Gani Thaçi ka më shumë se tre vjet që ka punuar si zëvendësdrejtor i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës. Por, vetëm një javë pasi ishte bërë drejtor ai kishte ofruar dorëheqjen e të cilën nuk ia ka aprovuar bordi i kësaj shoqatë që kryesohet nga Rrahim Pacolli.