E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët, duhanpirësit më të "thekur" në Evropë

Duhanpirja nga të rinjtë tashmë nuk konsiderohet vetëm modë, por njëkohësisht futet në "pakon" e veseve më pak të këqija, të padëmshme.

Mungesa e informacionit apo neglizhenca për t‘u njohur me "të vërtetën", jo vetëm që ka stimuluar më tej konsumin e duhanit në vendin tonë, por u ka mbushur mendjen të rinjve dhe adoleshentëve se kjo nuk sjell dëme edhe aq të mëdha. Duhanpirja në vendin tonë vlerësohet në masën 39 për qind, kundrejt 28.6 për qind që është në vendet e Bashkimit Evropian. Dje, në Ditën Ndërkombëtare të Luftës Kundër Duhanit, Instituti i Shëndetit Publik raportoi disa shifra të një studimi të fundit të popullatës lidhur me konsumin e duhanit. Të dhënat tregojnë se Shqipëria mbetet ende një vend me konsum të lartë të produkteve të duhanit, kjo duke e krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, ndërkohë që të rinjtë janë ata që po i shtohen listës së duhanpirësve gjithnjë e më shumë. 8 në 10 nxënës, të pyetur nga specialistët e ISHP-së, kanë deklaruar se jetojnë në shtëpi, ku ka një pjesëtar që pi duhan në praninë e tyre.

Studimi

Nga përgjigjet e të rinjve ka dalë në pah fakti se shtimi i fëmijëve që pinë duhan vjen kryesisht si rezultat i rritjes në ambiente duhanpirëse, qoftë brenda në familje, qoftë në ambiente të konsumimit të duhanit. 8 në 10 nxënës, të pyetur nga specialistët e ISHP-së, kanë deklaruar se jetojnë në shtëpi ku të tjerët pinë duhan në praninë e tyre, ndërkohë që 9 në 10 kanë deklaruar se janë të ekspozuar nga duhanpirja në vendet publike, ndërsa pothuajse gjysma e tyre kanë treguar se kanë një ose të dy prindërit duhanpirës. Në studimet e ISHP-së, të kryera në kuadër të Ditës Botërore Kundër Duhanit, ka rezultuar se 16 për qind e nxënësve të këtyre shkollave janë përdorues të tij. Të gjithë këta janë pjesë e kontingjentit të cilët klasifikohen si duhanpirës të rregullt. Të tjerë të anketuar të studimit, 16.8 për qind e të pyeturve, pohuan se kanë ndërmend që ta fillojnë cigaren. Sipas studimit të kryer nga Instituti i Shëndetit Publik, në disa shkolla të vendit tonë ka rezultuar se nxënësit e shkollave, kryesisht atyre të mesme, por edhe nëntëvjeçare, janë përdoruesit më të mëdhenj të duhanit.

Faktorët

Një tjetër përgjigje që i ka alarmuar specialistët e Shëndetit Publik dhe ndaj së cilës ata tërheqin vëmendjen, është fakti se të rinjtë dhe adoleshentët mendojnë se duhani është më pak i dëmshëm se veset e tjera dhe se një paketë cigare nuk sjell ndonjë dëm të madh. Një sjellje kjo që i bën të rinjtë të mos e shikojnë pirjen e duhanit si një faktor që ndikon negativisht mbi shëndetin, por si një proces normal. Pjesa më e madhe e njerëzve, qytetarëve në të gjithë botën, e nisin duhanin para moshës 18 vjeç dhe afërsisht një e katërta e tyre fillojnë të pinë duhan para moshës 10 vjeç.

Krahasimi me BE

Shqipëria, një nga vendet

më të mëdha të konsumit

Duhanpirja në vendin tonë vlerësohet në masën 39 për qind, kundrejt 28.6 për qind që është në vendet e Bashkimit Evropian. Ky fenomen është më i lartë te meshkujt se sa te femrat, përkatësisht 60 për qind, kundrejt 18 për qind te gratë.

Në Ditën Ndërkombëtare të Luftës Kundër Duhanit, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik deklaroi se do të nisë një fushatë sensibilizuese ndaj uljes së këtij fenomeni. Ata do të kërkojnë edhe riaktivizimin e ligjit antiduhan, i cili hyri në fuqi në maj të vitit 2007, por dështoi në zbatim. Statistikat tregojnë se Shqipëria renditet ndër vendet para për sa i përket përqindjes së popullsisë që tymosin cigare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›