Bllokohen fondet, pezullohen punimet e rrugës
Gjashtë mijë banorë të disa fshatrave të Urës Vajgurore, çdo ditë duhet të kalojnë nëpër një rrugë krejtësisht të shkatërruar për t‘u lidhur me qytetin. "Viktima" të rrugës janë dhe dhjetëra punëtorë të bizneseve që merren me nxjerrjen dhe përpunimin e gurit dekorativ. Segmenti rrugor nga shkolla e mesme deri në kryqëzimin te vendi i quajtur Pashalli-Konisbaltë vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme. Në gjithë gjatësinë e rrugës ka gropa të mëdha që dhe në verë janë të mbushura me ujë. Ndonëse për rikonstruksionin e saj u akordua një fond prej 32 milionë e 600 mijë lekësh, nuk është bërë ende asgjë. Për vitin 2008, nëpërmjet Ministrisë së Pushtetit Vendor kësaj bashkie iu akordua kjo shumë nga grandi konkurrues për rikonstruksionin e këtij segmenti, investim, i cili mbetet ëndrra e banorëve të zonës. Për këtë vit, nga ministria u akordua shuma prej 4 milionë lekësh, çka bëri që firma sipërmarrëse pas procedurës së tenderimit të nisë menjëherë nga punimet. Po, ndërsa punimet sipas projektit parashikoheshin të përfundonin brenda 12 muajsh që nga data e nisjes së tyre, rruga jo vetëm që nuk ka përfunduar së ndërtuari, por punimet janë lënë në mes. Shkak është bërë moslëvrimi i pjesës tjetër të fondit. Për vitin 2009, bashkisë së qytetit nuk i është akorduar pjesa tjetër e fondit për rikonstruksionin e segmentit sipas parashikimeve. Kryetari i Bashkisë së Urës Vajgurore, Syrja Ormënaj, është shprehur rreth problemit se i është drejtuar tri herë Ministrisë së Brendshme me shkresa zyrtare, ku i ka kërkuar lëvrimin e fondit, por nuk ka marrë asgjë përgjigje. Në këto kushte, aksi që lidh banorët me pjesën tjetër të qytetit dhe me fshatin Sinjë vazhdon të ngelet pa u rikonstruktuar. Sipas projektit, rruga parashikohet të rikonstruktohet në gjithë gjatësinë e saj, të ndriçohet e të pajiset me trotuare, por deri më tani çdo gjë ka mbetur pezull dhe nuk dihet se kur do të rinisin punimet për përfundimin e saj.