E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kouchner: Kosova ka perspektivë europiane


Kosova ka perspektivë europiane, ashtu siç kanë të gjitha shtetet e Ballkanit, ka thënë shefi i diplomacisë franceze, Bernard Kouchner gjatë një takimi që ka zhvilluar në fillimjavë me kryeministrin Hashim Thaçi. "është e ardhmja e Kosovës, është e ardhmja e Serbisë, është e ardhmja e Ballkanit Perëndimor. Kurrë nuk e kemi imagjinuar ndryshe", ka thënë Kouchner ndërsa theksoi mbështetjen e Francës për Kosovën. Kryeministri Thaçi gjithashtu ka thënë se, perspektiva e Kosovës është perspektivë evropiane, e ndërtuar mbi vlerat e qytetarisë dhe demokracisë qytetare, të bashkëpunimit rajonal. "Për ne gjithçka është e qartë, jemi për fqinjësi të mirë dhe zgjidhjen e çështjeve konkrete të nevojshme për interesa të vendeve edhe fqinje edhe të Kosovës të bazuara mbi vlerat euroatlantike. Ne jemi të fokusuar të kemi fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit, prandaj edhe përmbyllja e së kaluarës edhe me Serbinë është në interesin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimi rajonal dhe perspektivës evropiane", ka thënë kryeministri Thaçi. Ndërkaq, gjatë një fjale rasti në Kuvendin e Kosovës, ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Bernard Kouchner, deklaroi se një ditë Kosova dhe Serbia do të gjenden në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian si dy vende të pavarura, prandaj dialogu ndërmjet këtyre dy shteteve është kusht paraprak për këtë rrugë. Ai tha se pavarësisht vuajtjeve pajtimi mes Kosovës dhe Serbisë është i mundshëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›