Kr ngrohja globale bëhet gjithnjë e më shqetësuese
Artan Mullaj
Ndërsa janë një përvojë e re në një teren ku nuk mund të parashikohet por veç të opsionohet, ndryshimet klimaterike dhe nxehja kërcënuese e planetit përbëjnë një përballje metaforike ironie të frikshme me trokitjen e fatalitetit. Kambanat kanë filluar të bien kurse shkencëtarët e botës janë në studime të thella për të bërë të mundur parashikimet e mundshme, por në çdo rast, është e vështirë të merret me mend niveli i katastrofave të ardhshme të njerëzimit bazuar në statistikat e sigurta të ngrohjes së pandalshme dhe të rrezikshme të planetit.
Tanimë është i sigurt pra është një ndryshim problematik i klimës, që padyshim është duke ja ndryshuar, vështirësuar e rrezikuar jetën banorëve në tokë, kurse ajo që nuk mund të parashikohet është shkalla e vërtetësisë së ndodhive të kobshme përpara, që paralajmërojnë me gjakftohtësi shumica e shkencëtarëve.
Sipas tyre,evropianëve do t’ju duhet të përballen me një realitet epokash të nxehta në të ardhmen. Madje ky është edhe konstatimi i fundit i organizatës “Shërbimi Europian për Ambientin” EEA-“Impact of Europe’s changing climate”, e cila i ka rënë sërish kambanës së alarmit,ndërsa ka paralajmëruar mbërritjen e limitit të fundit kohor për marrjen e masave urgjente. Evropianëve do t’u duhet të mësohen të jetojnë me ndryshimet e forta të klimës në epoka të vështira, paralajmëron kjo organizatë.
Sipas të dhënave të rezolutës së fundit të EEA,gjatë viteve të fundit, akujt në territorin evropian kanë humbur rreth një të dhjetën e masës së përgjithshme të masës ekzistuese,kurse prodhimi i produkteve bujqësore është zvogëluar në mënyrë alarmante me një të tretën,për shkak kryesisht të thatësirës dhe fenomeneve shkatërruese të përmbytjeve dhe stuhive.
Sipas EEA,nëse gjithçka do të vazhdojë të funksionojë si sot në planet,brenda 50-vjetëve do të jemi dëshmitarë të fenomeneve shumë të rrezikshme për jetën në tokë, ndërsa temperatura do të rritet 2-6.3 gradë celsius ne 100 vitet e ardhshme. Kurse paralelisht, Komisioni për Ndryshimet Klimaterike pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara “Intergovernmental Panel on Climate Change”, në një relacion të vetin, bazuar në statistikat metereologjike, parashikon se temperatura mesatare e planetit, krahasuar me ato të vitit 1990,do të mund të rritej 1.4-5.8 gradë deri në vitin 2100.
Ajo që kërkohet është të zvogëlohet rritja shekullore e temperaturës në masën 2 grade, gjë që kërkon shumë seriozitet nga ana e qeverive të botës si edhe masa drastike të cilat bien ndesh me shfrenimin e papërmbajtshëm të rritjes ekonomike në botë.
Ndërsa EEA këmbëngul në marrjen e masave urgjente me kosto të larte, në relacionet e saj parashikimet janë mjaft shqetësuese. Deri në vitin 2050,rreth 75% të akullnajave në Alpet suedeze do të jenë zhdukur. Duke qenë se nga aktiviteti njerëzor në atmosferë janë përqendruar një sasi e dyoksidit të karbonit në mbi 34% mbi nivelin e para epokës së industrializimit ne planet, kjo shifër pritet të rritet në mënyrë të pakontrollueshme, nëse do të mungojnë masat e domosdoshme. Prurjet e lumenjve do të zvogëlohen rëndësishëm në juglindje të Europës dhe do të ketë çrregullime në zona të tjera. Rritje të nivelit të deteve dhe rritje të përqindjes së lagështirës në atmosferë,do të shoqërohen me lëvizje masive të llojeve shtazore në tokë edhe në ujë,për pasojë do të ketë edhe ndryshime gjenetike të paparashikueshme.
Ndërkaq,ndërsa fenomeni i ngrohjes globale bëhet gjithnjë e me shqetësues, njerëzimit do ti duhet të jetë gati për lëvizje masive të emigrantëve të ardhshëm, të cilët do t’u duhet të lenë trojet e tyre për kushtet e papërshtatshme që do shkaktojë në të ardhmen ky fenomen. Mbas disa dhjetëvjeçarëve, nëse jo me herët, miliona njerëz do të detyrohen të emigrojnë për shkak të presioneve të ambientit. Mbulimi i bregdeteve me ujë për shkak të rritjes së nivelit të oqeaneve, do të jetë shkaku kryesor për zhvendosjet e popullatave. Përveç pushtimit të ardhshëm ujor,ndryshimet klimatike do të sjellin një shpeshtim të katastrofave natyrore,përmbytjeve,tufaneve,zjarreve,cikloneve tropikale, thatësirave etj. Këto fenomene do të kenë një shtrirje të përgjithshme gjeografike në gjithë planetin. Sipas një studimi të fundit, rezulton se edhe pse zonat e ulëta bregdetare nën nivel, përbëjnë vetëm 2% të sipërfaqes së banueshme, në to banojnë rreth 10% të popullsisë së tokës, që do të jetë edhe më e ndëshkuara nga fenomenet e rrezikshme të ndryshimeve klimaterike. Pasojat kanë filluar ndikimet e tyre në jetën e njerëzve. Kriza botërore e ushqimit dhe rritja e çmimeve, veç të tjerave,janë pasojë koherente e drejtpërdrejtë edhe e ndryshimeve klimaterike. Ulja e nivelit te Lumit te Verdhe ne Kine,i ka vënë në vështirësi të mëdha miliona kultivuesit e prodhimeve bujqësore për shkak të mungesës së ujit për vaditje dhe thatësirave të pazakonta. Probleme të mëdha në rritje të thatësirës ka edhe në Afrikë,në ishujt e Indonezisë, ku statistikisht është vërtetuar një rritje e epidemive dhe sëmundjeve të popullatës.
Deri më sot shkencëtaret, klimatologët dhe organizata ambientaliste, mbasi kanë vënë me të drejtë alarmin, kanë qenë përqendruar ne përllogaritjen e kostos dhe detyrimeve që do të mund të parandalonin efektin serrë të shkaktuar nga shfryrja e shfrenuar e gazrave të dëmshme në planet. Por veç kësaj,rritja e presionit ndaj qeverive duhet të shoqërohet edhe me një vëmendje më të madhe mbarëbotërore për marrjen e masave për të ndihmuar viktimat e para të ndryshimeve klimaterike,në mënyrë që popullatat të përballojnë fenomenet pa qenë nevoja të emigrojnë në vende të tjera, gjë që do të sillte komplekse të tjera gjithandej. Problemet e popullatave që sot goditen me shpesh nga fenomenet ekstreme të klimës,përbëjnë fillimin e një krize të re njerëzore e cila duhet administruar në kohën e duhur.
16 Maj 2008