E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarkimet te “ARMO”, qeveria nis “lojën” me aksionet e punonjësve

Ligji parashikon që 10% e aksioneve i takojnë punonjësve. Shkarkimet, njësoj si në rastin e privatizimit të Albtelekomit

Habjon Hasani
Sikurse ndodhi me punonjësit e Albtelekomit, edhe gjashtëqind e gjashtë punonjës të kompanisë “ARMO” do të “flaken” në rrugë në mungesë të plotë të transparencës, vetëm pak kohë para privatizimit të kompanisë. Në fakt punonjësit janë të sanksionuar si të tillë me një ligj të Kuvendit, më konkretisht Ligji Nr. 9117, dt. 24.7.2003 “Për përcaktimin e strukturës dhe formulës së privatizimit të ARMO-s në Fier”. Ky ligj i sanksionon të drejtën punonjësve të bëhen aksionarë të kësaj kompanie duke shfrytëzuar madje dhe bonot e privatizimit që u janë shpërndarë atyre vite më parë. “Punonjësve të shoqërisë "ARMO" sh.a. Fier u ofrohen aksione në kapitalin e shoqërisë në shkëmbim të bonove të privatizimit, që u janë dhënë nga shteti. Punonjës të ARMO-s janë punonjësit të cilët kanë qenë në marrëdhënie pune të pandërprera, që nga krijimi i shoqërisë deri në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, si dhe ata që e kanë fituar këtë status me akte të tjera ligjore e nënligjore.
Investitorët strategjikë që do të blejnë aksione, sipas pikës 1 të këtij neni, kanë të
drejtën e parablerjes së aksioneve të mbetura, nëse ka, pas procedurës së përshkruar më sipër, duke paguar të njëjtin çmim për aksion, sa është paguar për aksionet sipas pikës 1. Kjo e drejtë zgjat një vit pas plotësimit të procedurës së transferimit të aksioneve të ofruara subjekteve, sipas pikave 1 dhe 2, shkruhet në ligj, por duket se pikërisht punonjësit më të vjetër të kësaj kompanie janë flakur nga puna pikërisht pak ditë para privatizimit të kompanisë.
Privatizimi
Qeveria e ka nisur procesin e privatizimeve këtë vit me kompaninë e naftës “ARMO”. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka publikuar shpalljen e tenderit të hapur ndërkombëtar për privatizimin e 85 për qind të aksioneve të saj. Sipas burimeve nga ky dikaster, publikimi është bërë në disa gazeta ndërkombëtare, si “Financial Times”, “Wall Street Journal”, në revistën “Hydrocarbons Processing”, në faqen e internetit të Ministrisë dhe në Buletinin e Njoftimeve Publike. Në privatizimin e ARMO-s rolin e konsulentit po e bën kompania amerikane ligjore “PATTON BOGGS”. Hapja e ofertave për ARMO-n do të bëhet më datë 21 maj. Burime nga Ministria e Ekonomisë bëjnë të ditur se gjatë kësaj periudhe janë parashikuar disa takime me ofertuesit e mundshëm, si për t'iu përgjigjur pyetjeve që ata mund të kenë në lidhje me këtë privatizim, ashtu dhe për të sqaruar çështje që mund të dalin nga dokumentacioni që do t'u vihet në dispozicion. Sipas vlerësimeve të bëra, asetet e kompanisë së përpunimit të naftës “ARMO” vlerësohen në 109 milionë euro. Në objektet që përfshihen në privatizimin strategjik të ARMO-s janë 2 uzinat e përpunimit të thellë të naftës në Fier dhe Ballsh, Qendra Shkencore e kimi-përpunimit në Kuçovë, filiali i eksport-importit në Vlorë, si dhe 11 depozita të naftës dhe karburanteve.
Protestat
Rreth 450 punëtorë të Uzinës së Ballshit kanë protestuar dy ditë më parë duke bllokuar edhe rrugën nacionale, Fier-Tepelenë për rreth 2 orë. Ata kanë protestuar kundër reformës së shkurtimit të ndërmarrë në këtë sektor, në kuadër të privatizimit. Shkak i kësaj proteste është bërë publikimi i listës së punonjësve që janë përfshirë nga reforma. Kjo listë ka irrituar punonjësit të cilët kanë vendosur që të protestojnë për parregullsi të këtyre listave dhe sipas tyre nëse kjo protestë nuk do të merret parasysh nga krerët e Kombinatit të Përpunimit të Naftës, atëherë ata do të përshkallëzojnë protestën. Protestuesit nuk kanë lejuar asnjë mjet të kombinatit që të hyjë apo të dalë në ndërmarrje, ndërsa kanë theksuar se do të protestojnë deri në vendosjen e drejtësisë dhe përmbajtjes së kritereve. Punonjësit pretendojnë se listat nuk janë përpiluar në bazë kriteresh, pasi sipas tyre ka shumë punonjës me vjetërsi të gjatë pune që kanë dalë në rrugë, ashtu si dhe nga ata me shumë herë më pak vite pune që aktualisht janë në marrëdhënie pune. Shumë punonjës gjatë protestës janë shprehur madje se këtu janë parë dhe bindjet politike, të cilat kanë listuar dhe emrat e përkrahësve në borderotë e Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës, apo të kundërshtarëve në listën e reformës.

16 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›