Hetimet për Kasharin drejt përfundimit
Tiranë - Hetimet mbi abuzimet me trojet e komunës së Kasharit në Tiranë janë në fazën përfundimtare, bënë të ditur dje burime nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Sipas këtyre burimeve, grupi hetimor po përgatit dokumentacionin përkatës që do të nisë më pas për shqyrtim gjyqësor në ngarkim të personave përgjegjës për këto abuzime. Hetimet kanë hedhur dritë mbi përvetësimin në mënyrë të paligjshme të trojeve në këtë komunë dhe shitjen e tyre për qëllime përfitimi te individë të ndryshëm apo biznese. Nga të dhënat hetimore rezulton se ish-funksionarët e kësaj komune, në bashkëpunim me të tjerë, të besuarit e tyre, falsifikonin aktet e pronësisë mbi tokat dhe me pas i regjistronin në Hipotekë. Trojet me dokumentacion të falsifikuar i shiteshin më pas të interesuarve për qëllime përfitimi dhe gjithçka bëhej në kurriz të pronarëve të vërtetë të tokës. Të pandehur në këtë çështje aktualisht janë 11 persona, mes tyre përfaqësues dhe ish-funksionarë të kësaj komune.
Verifikimet e Prokurorisë: Pretendimet e Del Pontes, të pavërteta
Tiranë - Prokuroria e Shqipërisë, pas verifikimit të informacionit të publikuar nga ish-kryeprokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, Karla del Ponte, në librin e saj “La Caccia. Io e i criminali di guerra” (Gjuetia. Unë dhe kriminelët e luftës) shprehet se këto pretendime janë të pavërteta. Është zhvilluar një proces inspektimi dhe verifikimi i përbashkët i hetuesve të ardhur nga Haga dhe prokurorëve të rrethit të Matit në disa ambiente në zonën e Burrelit. Në përfundim të këtij procesi hetuesit e Hagës së bashku me prokurorët e Matit arritën në konkluzionin se të dhënat që posedonin hetuesit e Hagës për atë që pretendohej se kishte ndodhur në Burrel nuk rezultuan të vërteta. “Duke krahasuar të dhënat e asaj kohe me ato çfarë shkruan Carla del Ponte sot në librin e saj, konstatojmë se kemi të bëjmë me të njëjtat elemente që pretendoheshin në vitin 2004 dhe Prokurorisë Shqiptare nuk i rezulton asnjë e dhënë e re për të cilat do të ishte e nevojshme të kryhej një proces i ri verifikimi apo investigimi. Megjithatë në rast se Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi mendon se duhet të vazhdojë investigimet në këtë drejtim, Prokuroria Shqiptare është e gatshme për bashkëpunim me këtë Gjykatë ose duke asistuar në rast se hetuesit e saj vijnë vetë për hetime në Shqipëri, ose duke mirëpritur të dhëna shtesë që do t’i jepnin shkak Prokurorisë Shqiptare për të filluar hetime në këtë çështje në bazë të legjislacionit në fuqi”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme.
16 Maj 2008