Avokati i Popullit: “METE masakroi ARMO-n dhe Albpetrolin”
Krahas çështjeve të zgjidhura pozitivisht, Avokati i Popullit është përballur gjatë vitit 2006 me një fluks të madh ankesash për largimet nga puna që janë kryer nga strukturat në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, sidomos nga Shoqëritë Anonime me kapital tërësisht shtetëror. Më së shumti këto ankesa janë drejtuar për Albpetrol sha, Uzinën e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, ARMO etj. Përgjithësisht, referuar Kodit të Punës, por dhe faktit se shumë prej këtyre ankesave janë paraqitur paralelisht edhe në rrugë gjyqësore, verifikimi që ka kryer Avokati i Popullit për shkaqet e këtyre largimeve nga puna ka qenë i kufizuar. Ashtu si dhe në raste të tjera, detyra jonë ka qenë e fokusuar në nxjerrjen në pah të parregullsive procedurale gjatë kryerjes së kësaj procedure dhe bërjen prezent të tyre në organin përkatës, duke kërkuar rivënien në vend të të drejtave të shkelura. Në disa raste jemi munduar që të luajmë rolin e ndërmjetësuesit midis punëdhënësve dhe punëmarrësve për të arritur në një komunikim dhe zgjidhje të mundshme për ankesat që janë parashtruar. Konkretisht, një rast për t’u përmendur ka qenë ballafaqimi që Avokati i Popullit zhvilloi midis drejtuesve të Albpetrol sha dhe Konfederatës së Sindikatave të Naftës. Nga të dhënat dhe transparenca e treguar u arrit që këta të fundit të merrnin përgjigje të drejtpërdrejta për trajtimin e tyre financiar pas largimit nga puna. Gjithsesi duhet nënvizuar fakti se për vetë fluksin e madh të largimeve nga puna dhe abuzivizmit që mund të shoqëroje këto procedura nisur nga motive të brendshme aspak ligjore të punëdhënësve, nga ana e Avokatit të Popullit, ashtu si dhe për rastet e tjera, do të shikohen mundësitë për të propozuar ndryshime të mundshme në Kodin e Punës. Kjo me qëllim rritjen dhe garantimin në një shkallë më të lartë të të drejtave të punëmarrësve dhe mbrojtjes së tyre juridike ndaj shkeljeve të caktuara në marrëdhëniet e punës. Si konkluzion mund të themi se problematika me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës zë një vend të konsiderueshëm në veprimtarinë e Avokatit të Popullit. Në një vështrim të përgjithshëm konstatojmë se roli i METE-s në raport me shoqëritë anonime me kapital tërësisht shtetëror nuk është në nivelet që pritet. Në shumë raste është vënë re se METE është përpjekur të mbulojë të metat dhe mangësitë e këtyre shoqërive, duke marrë mbi vete përgjegjësi. Por kjo ka rënduar tej përgjegjësisë reale këtë dikaster, duke vënë në pozitë të vështire jo pak herë dhe përfituesit e shërbimeve të tyre.
BOX
Privatizimi, firma konsulente “harroi” vitin 2007
Konsulenti për privatizimin e "ARMO"-s, "Patom Bogs", në raportin e dorëzuar në qeveri në muajin tetor, jep edhe vlerësimet e tij për shitjen e kompanisë shtetërore të naftës. Në analizën e bërë nga ana e konsulentit, duke marrë parasysh asetet e kompanisë, bilancet financiare të viteve 2004, 2005 dhe 2006 dhe blerjet e mundshme nga ana e investitorëve të kësaj pasurie jepen edhe skenarët e mundshëm të këtij privatizimi. Në këtë vlerësim nuk është marrë parasysh viti 2007, që është edhe më i rëndësishmi përsa u përket fitimeve të nxjerra nga ana e kompanisë shtetërore. Vetëm fitimi i "ARMO"-s gjatë vitit 2007, krahasuar me vitin 2004, është 5 herë më i lartë. Fitimi në vitin 2007 arriti në 1 miliardë e 700 milionë lekë, ndërsa në vitin 2004, ishte vetëm 365 milionë lekë. ARMO ka një vlerë të kapitalit të nënshkruar, që mund të jetë në nivelin e 50-60 milionë euro, ndërsa një vlerë të aseteve, si vlerë në kontabilitet, në rreth 100 milionë euro. Kjo është një vlerë kontabël, vlerë e aseteve të blera në vite, të investuara në vite, siç janë të regjistruara në kontabilitet. Në raportin e saj të vlerësimit për kompaninë "ARMO", konsulenti "Patom Bogs" i ka bërë të ditur Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, se pavarësisht se në shumë raporte të bëra publike edhe nga media, çmimi i privatizimit llogaritet në rreth 100 milionë dollarë ose më shumë, kompania mund të mos arrijë këtë vlerë në shitje. Madje në raportin e bërë nga ana e kompanisë konsulente amerikane "Patom Bogs" sqarohet se një çmim prej 100 milionë dollarësh i dhënë publikisht, është spekulim. Por shifra e dhënë për shitjen e kësaj kompanie ka qenë nga vetë "ARMO" dhe Ministria e Ekonomisë me rreth 170 milionë dollarë, ose 110 milionë euro. Kjo nuk është hera e parë që në privatizimet strategjike ndodhin përplasje midis vlerësimit të konsulentëve të huaj dhe çmimeve të kërkuara nga ana e qeverisë shqiptare.
16 Maj 2008