Macdonald dhe Simoni bien dakord për letër-porositë
Tiranë - Kryeprokurori i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe, Ken Macdonald dhe Fraser Uillson, dje e vazhduan turin e vizitave në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, ku janë takuar me kryetarin e kësaj gjykate, Sandër Simoni. Macdonald ka shprehur vlerësimet dhe konsideratën e tij e të Drejtësisë britanike për Gjykatën e Krimeve të Rënda në Shqipëri, për efikasitetin e saj dhe gatishmërinë në çështjet e bashkëpunimit gjyqësor me autoritetet britanike. Simoni e ka njohur z. Macdonald me ecurinë e Gjykatës, mënyrën e funksionimit të saj më çështjet që shqyrtohen, me nevojën e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën penale e në veçanti për nevojën e gjetjes së instrumenteve për ta bërë sa më efikase këtë bashkëpunim sidomos me autoritetet britanike. Gjithashtu Macdonald është njohur dhe me ndërtimin e godinës së re të Gjykatës së Krimeve të Rënda e ecurinë e saj. Macdonald dhe Simoni ranë dakord që në të ardhmen për çështje të bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar në fushën penale të kësaj gjykate me autoritetet britanike, për çështje të ekzekutimit të letër-porosive, të marrjes së informacioneve apo të ekspertizave do të shfrytëzojnë dhe rrugët diplomatike si dhe përfaqësuesit e policive përkatëse në vendet e tyre në mënyrë që ky bashkëpunim të jetë sa më efikas.
Alibeaj i njeh gjyqtarët e Tiranës me urdhrin më të ri
Tiranë - Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, zhvilloi dje një takim me gjyqtarët e Gjykatës së rrethit të Tiranës, gjatë së cilës u diskutuan problemet që shqetësojnë punonjësit e këtij sistemi. Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura, por burime brenda tij thanë se ministri Alibeaj u komunikoi gjyqtarëve të pranishëm një vendim, sipas të cilit duhet të raportohej çdo hap i procesit gjyqësor deri në ministri. Ndryshe nga më parë, sipas ministrit, për një seancë duhet të shënohen të gjitha oraret e fillimit apo mbylljes së saj, si dhe arsyet e detajuara në rast shtyrje. Po ashtu në këtë mbledhje gjyqtarët shprehën edhe shqetësimin e tyre për volumin e tyre të punës, duke i kujtuar Ministrit të Drejtësisë që të angazhojë në punë edhe ata gjyqtarë që janë të papunë për shkak të suprimimit të disa gjykatave të rretheve gjyqësore.
Aktivitet argëtues për të dënuarit e Rrogozhinës
Tiranë - Në Burgun e Rrogozhinës dje u organizua një aktivitet sportiv-kulturor me pjesëmarrjen e të dënuarve të Lushnjës, Peqinit dhe Vaqarrit. Në kuadër të zhvillimit të aktiviteteve me natyrë edukuese dhe argëtuese, ky ishte aktiviteti i radhës që organizoi Burgu i Rrogozhinës, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Në këtë aktivitet mori pjesë dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë të këtij institucioni. Në fjalën e tij, Dibra theksoi se ”Institucioni ynë është i përkushtuar në drejtim të trajtimit sa më human të personave me liri të kufizuar. Vizioni ynë është që të ndërtojmë një sistem i cili do të shërbejë për integrimin dhe rehabilitimin e kësaj kategorie në shoqëri. Organizimi i aktiviteteve të tilla, synon që të krijojë një atmosferë sa më gjallëruese dhe shpresëdhënëse te këta persona”. Aktiviteti filloi me një ekspozitë të punimeve artistike të dënuarve, i cili u pasua me ndeshjen e futbollit ndërmjet katër institucioneve. Fitues i kësaj ndeshje futbolli doli Burgu i Peqinit. Pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, u organizua një program i shkurtër artistik me pjesëmarrjen e aktorëve të njohur Rita Lati dhe Behar Mera, si dhe këngëtarë të muzikës popullore. Aktivitete të kësaj natyrë do të organizohen edhe në institucione të tjera.
16 Maj 2008