E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka e Shqipërisë dhe institucionet

Bujar Leskaj

Raporti vjetor i Bankës së  Shqipërisë për vitin 2007, na jep shtysë të trajtojmë shkurtimisht në këtë shkrim funksionimin institucional, marrëdhëniet e saj me institucionet e tjera financiare në vend, Qeverinë si dhe konkurrencën bankare. Banka e Shqipërisë është rregullatori kryesor financiar në ekonomi, emetuesi i vetëm i monedhës së vendit dhe institucioni përgjegjës për hartimin e zbatimin e politikës monetare. Pa cenuar pavarësinë e saj, Banka e Shqipërisë synon koordinimin e politikës së saj monetare me politikën fiskale dhe me politikat e tjera makroekonomike. Vlerësoj se ky institucion në zbatim të ligjit nr.8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë” është gjithashtu duke e kryer rolin që asaj i jep ligji si “përgjegjëse për mbikëqyrjen e të gjitha bankave në Republikën e Shqipërisë”. Gjatë vitit 2007 është i dukshëm zgjerimi i aktivitetit bankar, si në shtimin e degëve dhe agjencive bankare dhe në drejtim të shtimit të produkteve që bankat kanë ofruar. Indeksi që mat konkurrencën (indeksi H-Herfindahlit-faqe 72 në raport) vazhdon të jetë në rënie nga viti në vit dëshmi kjo e një niveli të rritur të konkurrencës bankare (teorikisht dihet që sa më i ulët indeksi, aq më e lartë konkurrenca. Për depozitat - 0.17 nga 0.2 që ishte në 2006; dhe për huat - 0.11 dhe për aktivet 0.15 nga 0.18 që ka qenë në vitin 2006. Këto janë dëshmi e shpërndarjes më të mirë të aktiveve, depozitave dhe kredive ndërmjet bankave të sistemit bankar). Është për t’u vlerësuar zgjerimi i aktivitetit bankar, i cili tani ka një shpërndarje më të gjerë në mbi 400 degë dhe agjenci në të gjithë vendin. Por ky zgjerim do të kishte qenë më i madh, nëse shtimi i numrit të degëve dhe agjencive do të ishte shoqëruar dhe me shtimin e licencave të reja bankare. Që prej 3 vitesh sistemi bankar shqiptar mbetet me 17 banka, për shkak të ndalimit të licencimit të bankave të reja (faqe 69). Nëse do të marrim parasysh dhe faktin që këtë vit bashkimi i Bankës Italo-Shqiptare me Bankën Amerikane të Shqipërisë (pronë të bankës italiane Intesa San Paolo) normalisht anuloi licencën e BIA-s, atëherë në sistem kemi një bankë më pak. I ndërgjegjshëm se konkurrenca e lartë nuk është e këshillueshme për sistemin bankar, por bazuar në nevojat e një ekonomie në rritje, siç është ekonomia shqiptare, mendoj dhe besoj se një zgjerim i kontrolluar i sistemit drejt rritjes së numrit të bankave, do kishte përparësitë e veta. Në këtë pikë dua të inkurajoj Bankën e Shqipërisë në studimin dhe nxitjen e licencimit të bankave lokale, një mënyrë kjo që mendoj se do i shërbejë shpërndarjes së zhvillimit nga qendra drejt rretheve të tjera të Shqipërisë, problem politik, ekonomik dhe demografik shqiptar.
Në lidhje me funksionimin institucional të Bankës së Shqipërisë, konstatohet se gjatë vitit 2007 e në vazhdim, ky institucion ka qenë i pavarur në arritjen e objektivave të tij ligjore. Marrëdhënia ndërmjet BSH-së dhe Qeverisë bazohet mbi parimet e bashkëpunimit dhe pavarësisë. Banka e Shqipërisë ka punuar e pandikuar nga politika dhe puna e saj nuk është cenuar nga debatet politiko-ekonomike, gjë që ndikon në rritjen e eficencës së punës në këtë institucion, duke bërë më të mundshme arritjen e objektivave të politikës monetare që harton dhe zbaton Banka e Shqipërisë. Krahas hartimit dhe zbatimit të politikës monetare, Banka e Shqipërisë kryen detyra rregullatore dhe mbikëqyrëse që lidhen me segmente të sistemit tonë financiarë. Pra, BSH promovon stabilitetin e sistemit financiar, duke sinergjizuar politikën monetare dhe mbikëqyrjen bankare. Një sistem financiar i shëndoshë, parakusht për stabilitetin e çmimeve, nënkuptohet para së gjithash nga një sistem bankar i shëndosh si pasqyrim dinamik të një ekonomie të qëndrueshme.
Por që të jetë më efektiv dhe më i dobishëm për ekonominë puna e këtij institucioni, duhet bashkërenduar me punën e institucioneve të tjera, që prekin të njëjtat fusha apo fusha të ngjashme. Ligji nr.8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, në nenin 24 të tij sanksionon që, “Banka e Shqipërisë bashkëpunon me organet legjislative dhe ekzekutive të Republikës së Shqipërisë për të përmbushur objektivat e saj dhe, në bazë të ligjit, kur e konsideron të nevojshme, ndërmerr veprime për të nxitur këtë bashkëpunim në kryerjen e funksioneve të saj”. Sipas raportit që Banka e Shqipërisë ka paraqitur, ky detyrim ligjor duket i lënë në plan të dytë. E them këtë për shkak të mungesës së një pjese të veçantë në raport, në të cilën të paraqitet niveli i bashkëpunimit të Bankës së Shqipërisë me institucionet e tjera financiare në vend dhe veçanërisht me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, Autoritetin e Konkurrencës, Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Agjencinë e Sigurimit të Depozitave etj. Me këtë dua të inkurajoj një bashkëpunim më të dukshëm me këto institucione, pasi besoj se kjo do t’i shërbejë jo vetëm punës së  këtyre institucioneve, por dhe arritjes së objektivave të vetë Bankës së Shqipërisë. Rritja dhe nxitja e konkurrencës në sistemin bankar kërkon në veçanti përfshirjen e Autoritetit të Konkurrencës, krahas çështjeve rregullatore. Kjo përfshirje duhet të mbështesë pavarësinë dhe kapacitetet teknike të të dy institucioneve, me qëllim krijimin e kushteve të konkurrencës së ndershme në segmentet e industrisë financiare, duke mos favorizuar askënd.
Duke mbetur te bashkëpunimi, vlerësoj nivelin e bashkëpunimit që Banka e Shqipërisë ka arritur me institucionet ndërkombëtare financiare dhe simotrat e saj të vendeve të tjera. Në veçanti dua të përqendrohem te bashkëpunimi me Autoritetin Qendror Bankar në Kosovë, i cili rezulton i zbehtë deri më tani, siç dhe e dëshmon raporti në fjalë. Shtimi i kontakteve me autoritetet financiare dhe bankare në Kosovë, bëhet imperativ, sidomos tani pas zhvillimeve politike, të cilat kristalizuan pavarësinë e Kosovës. Bashkëpunimi në nivel qendror dhe njëkohësisht nxitja e bankave të nivelit të dytë për të parë mundësitë e zgjerimit drejt Kosovës, krijojnë një bazë të mirë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve tona, jo vetëm në sektorin bankar, por edhe në sektorët e tjerë. Për shkak të lehtësirave që ofron infrastruktura bankare për ekonominë, ky bashkëpunim duhet të paraprijë dhe bashkëpunimet e tjera në sektorë të tjerë të ekonomisë. Dua të theksoj se rritjen e bashkëpunimit nuk e kërkoj thjesht dhe vetëm për motive patriotike, por e mbështes në bindjen time, se kjo është një mundësi e mirë për interes dhe përfitim të përbashkët. Kjo sinkronizon më së miri dhe me projektet e tjera të përbashkëta të tilla si rruga Durrës- Prishtinë, të orientuara nga qeveria Berisha dhe zhvillimet integruese të dy shteteve tona drejt të ardhmes së përbashkët në Bashkimin Evropian.
Është për t’u vlerësuar angazhimi i Bankës së Shqipërisë në krijimin e regjistrit të kredive. Në bazë të ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 127 të tij, që në pikën e parë sanksionohet që “Banka e Shqipërisë mban Regjistrin e Kredive, i cili përmban informacion në lidhje me kreditë që bankat dhe degët e bankave të huaja u japin klientëve të tyre”. Këtë detyrim ligjor të Bankës së Shqipërisë e shoh në rrugën e përmbushjes dhe këtë e vlerësoj si një ndër zhvillimet më të rëndësishme të sistemit bankar në kuadër të rritjes së sigurisë së tij. Ky është një zhvillim që është jetik, sidomos në kushtet e sotme, ku niveli i kredisë në sistemin bankar është rritur me hapa të shpejtë nga viti në vit.
Dhe në tërësi e rëndësishme është të kuptohet që administrimi i borxhit publik, të brendshëm dhe të jashtëm, përbën një sfidë të përbashkët si për Ministrinë e Financave dhe Bankën e Shqipërisë.
Hapja funksionale e rrjetit për tregun sekondar të bonove të thesarit, rritja e pjesëmarrjes së individëve në tregun e bonove të thesarit si dhe diversifikimi i shërbimit të tyre, duhet të përbëjë një prioritet të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë. (Por për problemin e bonove të thesarit në veçanti si dhe produktet e shërbimet bankare, transparencën, mendoj të shkruajmë një herë tjetër).
Në fund, por jo më pak e rëndësishme se çështjet e përmendura më lart, do të doja të theksoja rolin e Bankës së Shqipërisë në zhvillimin e ekonomisë. Këtu dua të ndalem te bujqësia. Duke lexuar të dhënat që raportohen për bujqësinë, si çdo shqiptar, ndjehem i pakënaqur për agoninë e këtij sektori dhe besoj se mund të gjenden rrugë për mbështetjen e tij. Shqipëria vërtet ka marrë rrugën drejt shërbimeve, por kjo nuk justifikon lënien në harresë të bujqësisë. Por Guvernatori i Bankës së Shqipërisë nuk duhet thjesht të shfaqet në pozicionin e konstatuesit apo raportuesit, por duhet të kërkojë rrugë për inkurajimin e këtij sektori, duke orientuar bankat e nivelit të dytë që të prodhojnë produkte që mund t’i shërbejnë dhe bujqësisë. Për këtë, Banka e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë nga njëra anë dhe Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë nga ana tjetër, duhet të shfaqen me strategji e program të qartë pune.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›