Krahasimet mes ekspertit amerikan dhe ekspertëve të Metës
Gjykata e Lartë vendosi të mos marrë parasysh ekspertizën e parë, të kryer nga një ekspert në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke ja ngarkuar këtë tre ekspertëve shqiptarë. Top Channel bëri në emisionin qëndror të lajmeve një analizë krahasuese me përfundimet e dy ekspertizave, asaj amerikane të Glen Bart dhe asaj shqiptare, ku secili nga shikuesit duke parë ndryshimet mund të nxjerrë edhe vetë konkluzionet. Gjatë një interviste në Top Channel, ambasadori amerikan tha se eksperti amerikan vjen nga një firmë shumë e njohur në vendin e tij.
1. Ora regjistruese
Ekspertet shqiptare pohojnë për orën se nuk mund të provojnë nëse ora objekt ekspertimi është mjeti me të cilin është realizuar biseda, dhe se nuk u gjetën gjurmë të bisedës Meta- Prifti. Po ashtu nga ekzaminimi i orës, ekspertët shqiptarë theksojnë se nuk janë në gjendje të përcaktojnë origjinën e saj. si dhe nuk është e mundur sipas tyre të përcaktohet nëse shkarkimi është bërë nga ora.
Eksperti amerikan për këtë çështje thotë se ora ka kapacitet ruajtës të brendshëm 8 gigabite dhe është përdorur për të regjistruar versionin video të bisedës Meta-Prifti. Ajo është lidhur me sistemin e kompjuterit portable. Po ashtu, shprehet eksperti Glen Bart, unë isha në gjendje të zbardh një video tjetër, e cila ishte fshirë nga aparatura.
2. Koha e shkarkimit të regjistrimit në laptop
Data e fundit e modifikimit, thonë ekspertet shqiptarë, është 1 mars 2010 në orën 1.33. Data e BIOS- në laptop korrespondon me datën aktuale, ora e BIOS-it në laptop ndryshonte një orë mbrapa me orën aktuale në Shqipëri. Ekspertët thonë se nuk është e mundur të përcaktohet ekzaktësisht ora dhe data gjeografike e hedhjes dhe shkarkimit në laptop.
U njoha me videon në DVD, thotë Glen Bart, dhe ndërsa pashë përmbajtjen e DVD, pashë që ajo është krijuar duke përdorur softuer Nero në datë 12 janar 2011 në orën 2.18 mbasdite. Unë gjeta një dosje Meta-Prifti në logo avi, video përshkruan një bashkëbisedim mes dy burrave. Data ne BIOS dhe koha në kompjuter janë në përputhje me kohën aktuale në Shqipëri.
3. Laptopi
Në mungesë të një file origjinal në orë, thonë ekspertët shqiptare, u konstatua ndërhyrje në file-n e vendosur në laptop. U arrit në deduksionin që minutën 11.25, 12.35 u konstatuan tik-take ore jo ne harmoni me tik-taket e tjerë. Duke parë anomalitë e këtij sinjali, konkludojmë ndërhyrje të mundshme.
Mua më është kërkuar të përcaktoj nëse dosjet e videos janë tjetërsuar, thotë Glen Bart. Unë i studiova dosjet e programit dhe nuk gjeta asgjë program softuer të instaluar që të ishte përdorur për tjetërsimin e videos, shkruan amerikani. Duhet të theksohet qe tjetërsimi i videos është një proces shumë i vështirë dhe programi për ta bërë të mundur këtë është shumë i shtrenjtë.
4. A e përmban USB materialin audioviziv Meta-Prifti?
Po, thonë ekspertët shqiptarë, në USB u gjetën tre file.
Në USB ishin tre materiale të ruajtura. Pasi shqyrtova të tria videot e ruajtura në USB, konstatova se ato ishin të njëjta me videon e DVD, por thjesht të ruajtura në formatime të ndryshme, thotë eksperti amerikan.
5. A mund të kuptohet biseda?
Ekspertët shqiptarë thonë se duke qenë se raporti sinjal zhurme është nën 10 decibel, nuk mund të kuptohen fjalët.
Eksperti amerikan thotë se unë nuk isha në gjendje të pastroja segmentin audio të videos me pajisjet që pata në dispozicion.
7. A është i njëjtë materiali në DVD me atë të marrë në emisionin Fiks Fare?
Ky material i marrë në Fiks Fare thonë ekspertët shqiptarë, nuk është i njëjtë me materialin e marrë në laptopin e Dritan Priftit.
Video që është transmetuar në programin televiziv, thotë eksperti amerikan, dhe që gjendet në USB, në fakt është vetëm gjysma e videos. Video e plotë gjendet në sistemin kompjuterik. Unë nuk kam gjetur prova që personat që jepen në video të jenë tjetërsuar, përfundon ndoshta konkluzionin më të rëndësishëm të ekspertizës, eksperti amerikan Glen Bart.
***
Pra, nisur nga konkluzionet e dy ekspertizave, eksperti amerikan nuk thotë në asnjë rast se ka patur ndërhyrje. Madje, as në atë audio, siç pretendojnë ekspertët shqiptare me kohë më të paktë dhe mjete më të varfra se eksperti amerikan. Eksperti amerikan pranon se çdo file që fshihet lë gjurmë, ndërsa shqiptarët nuk kanë gjetur asnjë gjurme. Provë për këtë është fakti se eksperti amerikan mundi të rikuperojë edhe një tjetër video të fshirë përveç asaj Meta-Prifti. Ndërsa për materialin ekspertët shqiptarë thonë se ka probabilitet për ndërhyrje vetëm për shkak të tik-takut, Glen Bart deklaron nuk janë gjetur prova që video të jetë tjetërsuar, pra të jetë manipuluar. Ndërsa Glen Bart pranon se ora regjistruese është përdorur për videon origjinale, ekspertët shqiptare nuk kanë mundur të përcaktojnë nëse video është regjistruar nga kjo pajisje orë-regjistruese.