Ekspertët për videon Meta- Prifti, licenca për bar- kafe dhe farmaci

Tre ekspertet shqiptare te videos Meta- Prifti, ne Gjykaten e Larte
Ky është një shkrim i publikuar nga gazeta TemA më datë 23 shtator për ekspertët e videos Meta- Prifti. Eksperti Pollo ka si veprimtari një bar- kafe, kurse Beqiri shet kompjutera te Fusha e Druve në Gjirokastër. Gjithashtu ai është pedagog tek Farmacia. Asnjëri nuk ka një licencë, leje apo autorizim për të kryer këtë punë
Asnjë nga tre ekspertët e përzgjedhur nga Gjykata e Lartë për të bërë ekspertizën e videos Meta- Prifti, nuk ka një leje, autorizim apo një licencë për të bërë një detyrë të tillë. Pasi emrat e tre ekspertëve u shfaqën në tavolinën e gjykatësve, pa u sqaruar se përse ishin përzgjedhur pikërisht ata, gazeta TemA ka gërmuar për të zbuluar diçka për aktivitetin e tyre.
Kështu, Gjykata e Lartë miratoi emrat e Ardian Pollos, Ermal Beqirit dhe Artur Rrahmanit. Emri i këtij të fundit u miratua pasi u rrëzua eksperti Dritan Zoto, që në fakt punon në të njëjtën studio si Rrahmani. Dy të parët janë pedagogë pranë një universiteti privat.
Asnjë prej tre ekspertëve nuk ka një licencë për të kryer këtë aktivitet. Në Qendrën Kombëtare të Licencimit nuk ka asnjë të dhënë që tregon se këta janë ekspertë të miratuar. Por ndërsa kërkon në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, zbulon se në çfarë biznesesh janë të punësuar ata.
Kështu, Ardian Pollo, në regjistrimin e tij si fushë të veprimtarisë ka një bar- kafe, diku tek Rruga e Durrësit, në një pallat të vjetër, në kat të parë.
Kurse Ermal Beqiri, eksperti tjetër i përzgjedhur nga Gjykata e Lartë, i cili po ashtu si Pollo punon pranë Universiteti Kristal, ka në pronësi një firmë për konceptim e prodhim programesh informatike dhe tregtim të pajisjeve elektronike e informatike me vend-ushtrimi të aktivitetit në një shtëpi private tek ish-Fusha e Druve në Gjirokastër.
Një tjetër e dhënë interesante për Beqirin është se ai është pedagog për studentët që studiojnë për farmaci. Specializimi i tij është në fushën e informatikës farmaceutike, e lidhur ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë, që drejtohet nga LSI.
Për ekspertin e tretë dhe studion e tij ka shumë pak të dhëna. Aty shënohet thjesht emri i saj Expert dhe selia në Vlorë. Si shtesë thuhet se kryen veprimtari edhe në Tiranë e Shkodër.
Përzgjedhja e këtyre ekspertëve shqiptarë, me një background profesional të tillë e me lidhje të dyshimta me qeverisjen u kundërshtua edhe nga pakica në Gjykatën e Lartë. Në mendimin e saj thuhet se vetë profili i Metës sugjeron që ekspertët të jenë të huaj. Kurse shumica argumentoi se ekspertëve të huaj iu është rrëzuar një herë ekspertiza. Gjykata pati argumentuar se dy ekspertët, ai amerikan dhe ai anglez, nuk kishin bërë betimin. Prokuroria tha se ata kanë dorëzuar deklaratën e betimit. Shumica në gjykatë po ashtu deklaroi se prokuroria nuk ka bashkëpunuar me Ministrinë e Drejtësisë për të kontaktuar ekspertët. Kurse pakica deklaroi se nuk ishte i nevojshëm bashkëpunimi përmes kësaj ministrie, pasi nuk po merreshin prova nga jashtë.