Paga, problemi i vetëm
Njazi Kuqi nuk ka gjetur rehati të plotë në Greqi. Në fakt, sulmuesi kosovar po kalon nëpër një formë shumë të mirë në elitën e futbollit grek me skuadrën e tij, Panionis. Mirëpo, vonesa e marrjes së rrogës ka bërë që vushtrriasi mos të ndihet plotësisht i lumtur në shtetin helen, i zhytur në krizë financiare, e cila faktikisht po e rrezikon këtë vend të falimentojë.
Megjithatë, Kuqi po tregohet i kuptueshëm me gjendjen e rëndë financiare nëpër të cilën po kalon klubi i tij dhe në përgjithësi shteti helen.
“Paratë i marrim me vonesë, mirëpo është normale në këto ditë krize. Në të gjitha kampionatet, përpos atij gjerman e anglez, ka probleme të tilla”, ka deklaruar Kuqi për mediet finlandeze.
Ndërkohë, kohëve të fundit Kuqi ishte i pasigurt nëse do ta vazhdonte apo jo karrierën në Panionis, pasi klubi kishte bërë ndërrim në krye të shtabit teknik. Mirëpo, trajneri i ri i kësaj skuadre e ka paralajmëruar kosovarin se llogarit në shërbimet e tij.
“Trajneri i ri më ka siguruar se nuk do të ketë shumë ndryshime. Prandaj, nuk e kam ndërmend të largohem. Në Panionis ndihem si në një ambient familjar, andaj dua të vazhdoj”, ka theksuar Kuqi i cili falë paraqitjeve të mira që i pati me ekipin grek, u rikthye edhe në përfaqësuesen e Finlandës, e cila të enjten mbrëma është mposhtur në miqësore si mysafire e Austrisë me rezultat 3:1.
Kuqi është shprehur të jetë i lumtur që iu rikthye reprezentacionit finlandez, fanellën e të cilit shpreson se do të vazhdojë ta veshë edhe në të ardhmen.