Krahasimi me UDB-në, dëmton imazhin e Policisë
(E plotësuar)Policia e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, i cili dje drejtoi akuza të ashpra kundër punës profesionale të Policisë së Kosovës.
“Bërja e paraleleve ndërmjet Policisë së Kosovës dhe strukturave të UDB-së të cilat kanë ushtruar dhunë dhe gjenocid në Kosovë dëmton rëndë imazhin e Policisë së Kosovës dhe atakon paanshmërinë dhe neutralitetin politik që ka Policia e Kosovës”, thekson policia, nëpërmes një komunikate shtypi..
Këto deklarata, sipas zyrtarëve policorë, vijnë në kohën kur Policia e Kosovës ka shënuar rezultatet të mira në luftimin e të gjitha formave të krimit, në veçanti kundër krimeve ekonomike. “Vetëm në tre mujorin e parë të vitit 2011 ne kemi proceduar 578 raste kriminale të kësaj natyre me një vlerë monetare 2.603.591.00 euro”.
Policia e Kosovës thekson se është e pavarur në punën e saj dhe nuk do të ndikohet nga asnjë presion i çfarëdo natyre dhe pavarësisht se nga kush vjen.
“Policia e Kosovës deri më tani ka punuar me autoritetet komunale në Prishtinë duke ofruar asistencë dhe përkrahje të ndërsjellë dhe besojë se kjo do të vazhdojë edhe më, në të ardhmen”.
Policia, në një konferencë me gazetarë, i ka ftuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë në luftimin e të gjitha veprave kriminale që bien ndesh me ligjet e Kosovës.
Policia e Kosovës garanton të gjithë qytetarët se do vazhdoj të ushtroj detyrat e saj si garantues i zbatimit të ligjit në përputhje me mandatin dhe përgjegjësinë që i takon duke ruajtur pavarësinë operacionale të saj.
Politizon hetimet
Isa Mustafa ka tentuar t’i zhvendos në rrafsh politik hetimet që po zhvillohen për korrupsion në Komunën e Prishtinës. Ai tha se Policia po punon me urdhra të SHIK’ut. Reagimi i tij vjen pasi që zyrtarë policorë përfunduan hetimet në lidhje me një transaksion financiar. Dyshohet se tre drejtorë komunalë, pa mbulesë, ia dhanë një firme private 800 mijë euro
Nga Lirita Halili
Isa Mustafa ka tentuar t’i zhvendos në rrafsh politik hetimet që po zhvillon Departamenti për Krime Ekonomike në Komunën e Prishtinës.
Ai, jashtëzakonisht i nervozuar, ka dalë të enjten para gazetarëve duke hedhur “gurë e dru” mbi Policinë e Kosovës.
Sipas Kryetarit të Prishtinës, gjithçka po zhvillohet nën urdhrat e SHIK’ut.
“Që nga fillimi i fushatës të zgjedhjeve të LDK’së, e veçmas këtë vit, Komuna e Prishtinës karakterizohet me një prezencë të pazakonshme të policisë nëpër lokalet e Komunës”, tha Mustafa.
“Vetëm pse jam pjesë e LDK’së nuk është e drejtë që të më gjuhet SHIK’u mbi kokë”, shtoi ai.
Por, çfarë hetimesh po zhvillon Policia në Komunën e Prishtinës?
Burime të Express thonë se Departamenti për Krime Ekonomike pritet t’ia dorëzojë javën e ardhshme Prokurorisë së Qarkut një dosje që përmban dyshime në lidhje me një transaksion financiar.
“Tash po hartohen detajet e fundit të kallëzimit. Bëhet fjalë për një rast ku Komuna e Prishtinës ka derdhur 800 mijë euro pa mbulesë në llogari të një firme private”, ka thënë një zyrtar i lartë policor, në kushte anonimiteti, për Express.
Këto para janë transferuar në lidhje me projektin për mbulimin e Lumit Prishtevka në Lagjen Kalabria të kryeqytetit.
“Në rast janë të përfshirë tre drejtorë komunalë në Komunën e Prishtinës”, ka thënë ai.
Krahas kësaj dosjeje, hetuesit policorë dyshojnë edhe për dy raste tjera.
Njëra ka të bëjë me dhënien e lejeve të ndërtimit, kurse tjetra me moszbatimin e vendimeve për rrënimin e objekteve pa leje.
Derisa këto dosje do të dërgohen në Prokurori, disa të tjera tashmë ndodhën në duart e prokurorëve.
Rasti i njërit prej tyre, Agim Miftarit, që në Komunë është shef i Sektorit të Ndërtimeve, tashmë ndodhet në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë dhe ka filluar të hetohet. Sipas burimeve nga Prokuroria, dosja e tij është dorëzuar para një jave dhe ai dyshohet për ryshfet dhe moszbatim të urdhrave për rrënim.
“Por rasti është i bazuar në një letër anonime dhe tërë çështja duhet të verifikohet disa herë”, thotë ky burim për Express.
Përveç kësaj, Prokuroria ka pranuar edhe një dosje tjetër që ka të bëjë me një nëpunëse tjetër e cila, megjithatë, nuk dyshohet për keqpërdorime shumë të mëdha, por më shumë për tejkalim kompetencash.
Por këto hetime, për Isa Mustafën, kanë prapavijë politike.
“Policia nuk duhet t’i fokusojë hetimet vetëm në Komunën e Prishtinës, por njëjtë duhet të hetohen edhe komunat e tjera”, tha kreu i Prishtinës.
E përveç komunave, Kryetari Mustafa thotë se hetimet duhet nisur edhe në të gjitha ministritë që udhëhiqen nga partitë e ndryshme, në mënyrë që sipas tij, të mos bëhet fokusimi politik vetëm ku udhëheq LDK.
“Po instalohet një shtet policor, që njerëzit e SHIK’ut të cilët kanë qenë përkrahës të një partie politike, tash janë transferuar në institucione, në polici në gjykata dhe në Prokurori”, tha Mustafa.
Duke i quajtur këto hetime si fushatë e policisë, kreu i Prishtinës dhe LDK’së nuk hezitoi të bëjë krahasime ndërmjet shërbimit të shtetit që ishte para lufte dhe sot.
Sipas tij, metodat e hetimeve të cilat po zhvillohen nga Departamenti i Policisë për Krime Ekonomike ndaj zyrtarëve të Komunës, të udhëzuara nga SHIK’u, mund krahasohen me metodat e UDB’së.
“Njerëz të cilën janë marrë në pyetje, kanë thënë se policia është sjellë shumë keq ndaj tyre, sjellje që tejkalon edhe metodat që UDB e Serbisë i ka aplikuar ndaj njerëzve që përpara janë marrë në pyetje”, u shpreh Mustafa, por pa treguar se kush janë ata persona që kanë deklaruar kështu.
Ai tha se policia ka marrë në pyetje punëtorët e Komunës, pa e lajmëruar atë personalisht, duke e konsideruar këtë si jo të ligjshme.
“Përplasja e dyerve, ndërrimi i njerëzve duke pyetur a po fol shqip, serbisht, turqisht a do me të marr avokat apo jo, janë sikur të UDB’së”, tha i bindur Kryetari Mustafa, duke u ankuar se ne këtë mënyrë po i pamundësohet puna.
E përveç rrëfimit se si këta punëtorë janë marrë në pyetje dhe pranimit se numri i tyre është i madh, Mustafa nuk përmendi asnjë emër të ndonjë zyrtari komunal që i është nënshtruar këtij hetimi.
Pavarësisht këtyre hetimeve, i pari i Prishtinës tha se nuk do ta lë këtë punë me kaq.
Isa Mustafa tha se do të kërkojë nga grupi i tij parlamentar që të hapin një procedurë dhe të shihet se a ka të tilla pengesa edhe në ministritë tjera, apo vetëm në Komunën e Prishtinës, e cila udhëhiqet nga LDK’ja.
Deklaratat e Isa Mustafës nuk i kanë pëlqyer Reshat Maliqit, Drejtor i Policisë së Kosovës.
Duke sqaruar se nuk ka njohuri për deklarata të tilla të Mustafës dhe nuk dëshiron t’i komentojë fjalët e të tjerëve Maliqi, megjithatë, tha diçka.
“Dua të sqaroj se Policia e Kosovës në punën e vet bazohet në Kushtetutën e Republikës, ligjet dhe rregullativat përkatëse, e nuk punon sipas porosive të askujt”, tha Maliqi për Express.
“Nëse ka prova dhe fakte se Policia është duke bërë shantazh me direktiva të dikujt, atëherë është mirë që për ato të njoftohet policia, prokuroria dhe Gjykata”, u shpreh kreu i Policisë së Kosovës. “Ne nuk dimë asgjë”, tha Maliqi.