Krasniqi: Bllokimi i reformës, çështje politike

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniq ka thënë sot se zgjidhja e reformës zgjedhore dhe asaj kushtuese është çështje politike dhe mes krerëve të partive politike. Një përpjekje për dalje nga ky bllokim do ta bëjë sot Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i cili ka ftuar liderët e partive politike dhe ambasadorët e vendeve të KUINT-it, për të diskutuar për këtë çështje.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ka thënë se Komisioni për reformë zgjedhore dhe komisioni ad hok për reformë kushtetuese është dashur ta njoftojnë Kuvendin me një raport për punën që e kanë bërë, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Kryeparlamentari Krasniqi vlerëson se raportimi është i obliguar, ndërsa bllokimin e kësaj reformë e konsideron çështje politike.
“Ne presim që ta bëjnë këtë raport është i obliguar. Pa marrë parasysh se cili do të jetë qëndrimi i krerëve të partive politike ata do të duhej ta njoftonin Kuvendin me atë raport. Se si do të zgjidhet kjo është çështje politike dhe është çështje e liderëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvend”, tha kryeparlamentari Krasniqi.
Ndërkohë me ftesë të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa sot do të mbahet një takim i krerëve partiak dhe përfaqësuesve të KUINT-it, për të diskutuar rreth reformës zgjedhore. Ismet Beqiri shefi i grupit parlamentar të LDK-së tha se kjo është një përpjekje për të dalur nga kjo ngecje e reformës zgjedhore, raporton RTK.
“ Më aktuale është çështje e reformës zgjedhore”,tha Beqiri.
Ndërkohë Kryesia e Kuvendit ka vendosur që këtë javë të mbajë dy seanca. Njëra me 12 dhjetor, ku në ora 10 presidentja Atifete Jahjaga do t’i drejtohet Kuvendit me fjalimin vjetor ndërsa në orën 12.00 kryeministri Hashim Thaçi do të raportojë për bisedimet. Ndërsa seanca e rregullt e Kuvendit do të mbahet me 13 dhjetor, ku ndër të tjera do të shqyrtohet për herë të dytë projektligji për buxhetin e vitit 2013./Indeksonline/