E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkimi i policëve, lehtësim për qytetarët

Nga: Valdrin Krasniqi

Vetëm 5 metra qëndrojnë larg njëri tjetrit. Përshëndeten me dorë dhe fillojnë punën e përbashkët.

Me këtë ritual policët e Kosovës dhe kolegët e tyre nga Serbia sot në orën nëntë të mëngjesit, në temperatura minus gradë, nisën zyrtarisht zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit në Merdare.

Aty nuk vërehet asnjë mbishkrim që tregon në cilin shtet je, mirëpo atë e dallon nga emblemat që mbajnë në krahë e në gjoks policët e doganierët.

Pika kufitare në Merdare

I pari që i pa këto ndryshime ishte Dragan Stojanoviq. Duke ardhë nga Serbia në Kosovë ai iu nënshtrua procedurave të reja të kalimit të kufirit.

Atij i mjaftuan 3 minuta për t’i kryer të gjitha rregullat e kalimit të kufirit.

“Ishte shumë më lehtë se herëve të tjera për të kaluar kufirin. Në të dy anët mu kërkua letërnjoftimi dhe menjëherë mora sinjalin për të vazhduar rrugën”, tha personi i parë që hyri në Republikën e Kosovës.

Sipas tij, qarkullimi po bëhet normalisht dhe nuk ka asnjë vërejtje tek autoritetet kufitare.

Dragan Stojanoviq

Përvojë të njëjtë sikur të Stojanoviqit patën edhe shumë qytetar të tjerë nga të dy anët e kufirit.

Të vetmit që vonoheshin për pak minuta, ishin shoferët e kamionëve të cilët duheshin të plotësojnë disa formularë doganor për të kaluar nga një shtet në tjetrin.

Që kur fillojë zbatimi i marrëveshjes së IBM-së, kufiri ishte me i ngarkuar në pjesën e Serbisë. Shumë serbë si këmbë ashtu edhe me automjete “shijonin” fillimin e zbatimit të marrëveshjes së IBM-së.

Në fytyrat e tyre vërehej një disponim i mirë, ani pse temperatura në Merdare shendonte -10 gradë celsius.

Edhe pse nuk kishte ndonjë ceremoni të organizuar nga autoritetet kosovare, dy orë pasi nisi zbatimi i IBM-së, në Merdare zbarkuan, ministri i Rendit, Bajram Rexhepi, kreu u Policisë, Shpend Maxhuni dhe drejtori i Doganave, Naim Huruglica.

Ata së bashku qëndruan për më shumë se një orë dhe inspektuan fillimin e marrëveshjes ndërshtetërore.

Arritja e Rexhepit dhe Huruglicës me helikopter nga Jarinja në Merdare

Nganjëherë krerët e institucioneve kosovare shikonin edhe nga kontinjerët ku aty qëndrojnë policët e Serbisë.

Marrëveshja që erdhi pas disa muajsh negociata mes Kosovës dhe Serbisë për menaxhimin e kufijve, është bazuar në përputhje me Traktatin e Lisbonës dhe legjislacionin relevant të BE-së.

Në pikat e saj thuhet se duke pasur parasysh se të dy palët janë pjesë e agjendës së BE-së për Ballkanin Perëndimor, atyre do t’ju kërkohet që gradualisht të harmonizojnë legjislacionin e tyre më atë të BE-së dhe në veçanti ta zbatojnë konceptin e Integritet Border Menagment (IMB).

Përafrimi i policëve dhe doganierëve të dy shteteve, që deri tani nuk komunikonin dhe kishin raporte jo të mira mes veti, tani shënon edhe një përmirësim në marrëdhënien mes dy vendeve.

Mbase më nuk do të ketë kidnapime të zyrtarëve policor të Kosovës. E ndoshta nuk do të shihen më as kolonat e gjata të automjeteve gjatë verës./Indeksonline/

 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›