E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi: Franca të ndikojë për njohjet e Kosovës

Prishtinë - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka kërkuar nga Franca, ndihmë për rritjen e numrit të njohjeve të Kosovës nga vendet e Organizatës së Unionit Afrikan. Gjatë një takimi me ambasadoren e Republikës së Francës në Prishtinë, Delphine Borione, Krasniqi ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Francës, sidomos ndërmjet dy parlamenteve.

Kryeparlamentari Krasniqi e ka vlerësuar mbështetjen e Francës për Kosovën, dhe sidomos njohjen e shpejtë të pavarësisë së shtetit tonë. Ai e ka çmuar kontributi e Asamblesë Nacionale të Francës, në kuadër të konzorciumit të katër parlamenteve që e kanë mbështetur Kuvendin e Kosovës. Krasniqi ka theksuar forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy popujve edhe nëpërmjet krijimit të grupeve të miqësisë. Kreu i legjislativit të vendit është shprehur i bindur se shteti francez do të ndikojë në vendet e Unionit Afrikan për njohjen e shtetit të Kosovës.

“Kam ardhur të shpreh mbështetjen e Francës për Kosovën në njëvjetorin e pavarësisë së vendit tuaj”, ka thënë ambasadorja e Francës në Prishtinë, Delphine Borione, e cila është shprehur shumë e kënaqur që Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim për krijimin e Grupit të Miqësisë Kosovë-Francë. Diplomatja franceze në vazhdim ka theksuar nevojën për thellimin bashkëpunimit ndërmjet Asamblesë Nacionale të Francës dhe Kuvendit të Kosovës, në funksion të konsolidimit të shtetit të pavarur të Kosovës dhe të thellimit të demokracisë.

Ambasadorja Borione e ka garantuar kryeparlamentarin Krasniqi se shteti francez është duke u angazhuar për njohjen e Kosovës nga sa më shumë vende. Ajo është shprehur e bindur se shumë shtete afrikane janë duke pritur që Kosovën ta njohë së pari Organizata e Unionit Afrikan, ndërsa më vonë të pasojnë njohjet nga shtete të veçanta.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›