Krasniqi: Greva e deputetëve, shpërqendroi vemendjen nga Kosova
Prishtinë-Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, u ka dërguar një letër autoriteteve më të larta të shtetit shqiptar ku kërkon zgjidhjen sa më të shpejtë të çështjes, pasi situata po zhvendos vëmendjen nga problemi që Kosova po përjeton, në atë të grevës së deputetëve në Tiranë.
Në letrën e tij drejtuar Presidentit të Republikës, Bamir Topi, kryeministrit Sali Berisha, Kryetares së Parlamentit Jozefina Topalli dhe Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, Krasniqi shkruan se "Kosova është duke kaluar çastet vendimtare në proçesin e ndërtimit të shtetit të ri dhe ballafaqohet me një sërë vështirësish të imponuara nga qarqet antishqiptare në botë. Greva e urisë e 10 deputetëve në Parlamentin e Shqipërisë dhe sidomos degradimi i gjendjes së tyre shëndetësore zhvendos vëmendjen e opinionit shqiptar dhe më gjerë në probleme brendashqiptare".
Krasniqi nenvizoi se "duke përcjellë me shqetësim të madh grevën e urisë ju lus, miq të nderuar, që të ushtroni influencën Tuaj për gjetjen e një zgjidhje që do t’i jepte fund grevës së urisë dhe së bashku të kontribuojmë në avancimin e njohjes së shtetit të Kosovës". (INA)