Krasniqi: Kurdisjet na dëmtojnë

Ministri i Sportit, Memli Krasniqi, është i shqetësuar me akuzat e ndërsjellëta që po bëhen ndërmjet krerëve të klubeve për kurdisjen e ndeshjeve në futbollin kosovar.
Ministri Krasniqi ka tërhequr vërejtjen se kurdisja e rezultateve të ndeshjeve mund ta dëmtojë rëndë procesin, në të cilin gjendet sporti kosovar, drejt ndërkombëtarizimit. Ai bëri thirrje që të mos dëmtohet ky proces, nëpër të cilin po ecën sporti kosovar.
“Si Ministri nuk kemi kompetenca të ndërhyjmë dhe nuk duam të ndërhyjmë në asnjë federatë sportive, në këtë rast as në Federatën e Futbolli të Kosovës. Por, nëse ka kurdisje, ato nuk i bëjnë nder askujt, sidomos tani kur futbolli kosovar është në procesin e ndërkombëtarizimit”, ka deklaruar Krasniqi të martën.
Krasniqi u bëri thirrje të gjithë atyre individëve që kanë argumente për kurdisje të rezultateve të ndeshjeve t’i paraqesin në organet e hetuesisë, për të mirën e futbollit kosovar, i cili edhe ashtu është në gjendje të rëndë në çdo pikëpamje.
“Si Ministri i lusim të gjithë ata që kanë fakte e argumente për kurdisje të rezultateve të ndeshjeve, t’i procedojnë ato në organet e hetuesisë dhe këto të fundit ta kryejnë punën e tyre”, shtoi ai.
Që nga paslufta çdo kampionati ka zëra për ndeshje të kurdisura, ndërsa deri më tani nuk ka nisur ndonjë hetim për këtë. Rasti i vetëm mbetet ai i Fushë Kosovës, e cila u përjashtua nga Liga e Parë, pasi ishte vërtetuar se kishte kurdisur ndeshjen me Ulpianën.