E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majlinda refuzon Azerbajxhanin

Majlinda Kelmendi përfundimisht ka vendosur që në garat ndërkombëtare ta përfaqësojë Kosovën. Xhudistja pejane e ka konsideruar ministrin e Sportit, Memli Krasniqi, si njërin prej më meritorëve që e ka bind ta refuzojë ofertën e Azerbajxhanit. Për 20 vjeçaren tash e tutje do të përkujdeset Ministria e Sportit në bashkëpunim me sektorin privat. Nga Valon Konushevci më 25 maj 2011 në ora 13:00

Xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi e ka refuzuar ofertën e Azerbajxhanit, duke vendosur që karrierën e saj ta vazhdojë duke e përfaqësuar Kosovën nëpër gara ndërkombëtare.

Lajmi është zyrtarizuar të martën pas një takimi që pati ministri i Sportit, Memli Krasniqi, me Majlinda Kelmendin dhe trajnerin e saj, Driton Kuka. Krasniqi theksoi se institucioni që ai e drejton më në fund ia ka dalë që xhudistes pejane t’i sigurojë një tretman dukshëm më të mirë sesa që kishte deri më tani.

“Nga fillimi kur kam marrë postin e ministrit, kam zhvilluar kontakte të vazhdueshme për ta përmirësuar tretmanin e Majlindës dhe Federatës së Xhudos së Kosovës. Majlinda do të qëndrojë në Kosovë, do t’i mbrojë ngjyrat e përfaqësueses së Kosovës, sepse ky është vullneti i të gjithë neve”, tha Krasniqi në një konferencë për media, pas takimit që pati me Majlinda Kelmendin e Driton Kukën.

Ministri Krasniqi pohoi se të gjitha shpenzimet e Kelmendit dhe stafit të saj për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare do t’i mbulojë Ministria e Sportit, derisa potencoi se ka gjetur mirëkuptim edhe te njerëzit e sektorit privat që ta mbështesin financiarisht 20 vjeçaren dhe Federatën e Xhudos së Kosovës, por pa zbuluar detaje tjera.

Krasniqi theksoi se xhudistja pejane meriton tretman sa më të mirë që është e mundur nga institucionet shtetërore. “Majlinda na ka bërë të gjithë neve në Kosovë të ndihemi mirë sa herë që ajo merr pjesë në gara ndërkombëtare. Është nder për gjithë Kosovën që e ka Majlindën në mesin e tetë garuesve më të mirë në ranglistën olimpike. E përgëzoj për të gjitha të arriturat e saj dhe i uroj suksese të mëtutjeshme”, shtoi Krasniqi.

Ndërsa xhudistja më e mirë kosovare ka vlerësuar lart Memli Krasniqin, sipas të cilës është ministri më i mirë që ka pasur Ministria e Sportit deri më tani.

“Kam pas marrë shumë premtime nga ministrat e kaluar, por ato kanë mbetur vetëm premtime. Por, ministri i tanishëm më bindi që ta refuzoj ofertën joshëse të Azerbajxhanit dhe ta përfaqësoj shtetin tim, Kosovën. Është nder i madh për mua që të vazhdoj ta përfaqësoj vendin ku kam lindur, shtetin tim, Kosovën”, u shpreh Majlinda.

Në anën tjetër, edhe trajneri i Majlindës, Driton Kuka u shpreh të jetë jashtëzakonisht i kënaqur që bashkë me xhudisten e tij do të vazhdojnë ta udhëheqin përfaqësuesen e vendin tonë.

“Janë ditët më të mira të karrierës sime që po i përjetoj, pasi bashkë me nxënësen time po e dimë se do të vazhdojmë ta përfaqësojmë vendin tonë”, tha Kuka.

Tash e disa muaj e ardhmja e Majlinda Kelmendit ishte vënë në pikëpyetje, sepse Federata e Xhudos e Azerbajxhanit i kishte bërë ofertë mjaft joshëse pejanes dhe stafit të saj që të pajisen me pasaporta të atij vendi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›