E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi: Kuvendi në masë të madhe e ka kryer obligimin

Në përmbyllje të vitit kalendarik, kryeparlamentari Jakup Krasniqi vlerëson se Kuvendi i Kosovës e ka kryer pjesën më të madhe të obligimit të vetë, ndonëse thekson se është keqpërdorë sidomos muajt e fundit për propagandë të fushatës zgjedhore, ndërkohë që konsideron se koalicioni qeverisës nuk do të ketë ndryshim dhe se në Qeveri nuk ka vend për të gjithë.

Duke numëruar ligjet në numër 40, Krasniqi ka thënë se krahasuar me vitet e kaluara mund të thuhet se ka pasur një sukses të madh në miratimin e ligjeve, por megjithatë pranon se lehtësisht numri i ligjeve të miratuara ka mundur të jetë më i madh.

"Konsideroj që Kuvendi në masë të madhe e ka kryer obligimin e vetë, sidomos në sferën e miratimit të ligjeve. Do të thotë ne kemi miratuar këtë vit mbi 40 ligje, janë në pritje 25 ligje dhe po të krahasojmë me punën e viteve të mëhershme, unë mendoj që në këtë rrafsh kemi një shtim të numrit, sepse brenda një viti kemi miratuar mbi 40 ligje. Do të thotë kemi një avancim, ndonëse ka mundur të ketë edhe më shumë ketë vit, lehtë kanë mundur të jenë mbi 50”, ka thënë ai.

Fërkimet e fundit mes partnerëve të koalicionit qeverisës, të shkaktuar sidomos me rastin e zgjedhjeve lokale, Krasniqi e konsideron më tepër si problem të brendshëm partiak i LDK-së.

Krasniqi ka thënë se koalicioni nuk duhet të ndryshohet, pavarësisht rezultateve zgjedhje që mund të dalin në komunat që do të ketë rivotim ku në garë janë pikërisht kandidatët e PDK-së dhe LDK-së.

“Po e them këtë sepse prej fillimit ne në Grupin Parlamentar të PDK-së, ka pasë zëra të ndryshëm, do të thotë ata që kanë qenë në qeverisje, që i kanë shfrytëzuar të mirat e qeverisë, gjithnjë kanë qenë mjaft të përkushtuar për të qeverisur, por zhurmën e kanë bërë njerëzit që nuk kanë qenë pjesë të qeverisjes dhe e kanë ndjerë veten të lënë anash nga vetë subjekti politik. Do të thotë ne nuk kemi pasur problem me ata që kemi qenë në bashkëqeverisje dhe është arritë marrëveshje, më tepër ka qenë problem i brendshëm dhe ai problem ka reflektuar edhe në kualitetin e qeverisjes”, është shprehur kryeparlamentari Krasniqi.

Ndërkohë, si ‘shpërblim’ për fundvit Kryesia e Kuvendit në njërën nga mbledhjet e fundit të saj ka marrë vendim që të rris pagat e deputetëve, gjë e cila nuk ka kaluar pa reagimin e opinionit.

Kjo rritje bëhet pikërisht në kohën kur Kuvendi i Kosovës shpesh ‘lëngon’ nga mungesa e kuorumit dhe detyrohet t’i ndërpresë punimet, ndërkohë që parashihet që deputeti edhe në rast të mospjesëmarrjes në seanca të marrë 50 për qind të pagës shtesë, që i bie që nga 240 euro, të marr 120 euro në muaj.

“Kjo pagë ka për qëllim që të përmirësojë kualitetin e punës në Kuvend dhe në rregulloren e punës që do ta miratojmë në muajt e parë të vitit të ardhshëm më së largu në shkurt, do të parashihet që mjetet shtesë deputetit t’i jepen vetëm kur ai është pjesëmarrës. Nëse deputeti nuk është prezentë në punën e komisionit, ai nuk mund të marrë pjesën që i takon prej pjesëmarrjes në komisione. Nëse deputeti nuk është pjesëmarrës në seanca ai nuk do ta merr, le ta dinë këtë, qoftë më leje qoftë pa leje”, është shprehur ai.

Kryeparlamentari Krasniqi thekson se nuk është ndjerë aspak i shqetësuar kur në titrat e televizionit publik është transmetuar lajmi i PDK-së i 19 nëntorit, në të cilin thuhej se PDK-ja e ka prishur koalicionin me LDK-në dhe ka bërë koalicion me AKR-në dhe LDD-së, duke i besuar Behgjet Pacollit postin e presidentit, kurse Nexhat Dacit postin e kryeparlamentarit.

Krasniqi konsideron se shoqëria civile është për t’i ndihmuar institucionet e Kosovës, por në momentin kur shoqëria civile bëhet opozitë e institucioneve, atëherë ajo nuk mund ta kryejë detyrën e saj.

“Unë mendoj që vetë shoqëria civile nuk e ka kuptuar detyrën e vet. Po e them këtë se mendoj që ajo çka unë konsideroj se është keqkuptuar nga shoqëria civile është se shoqëria civile nuk është opozitë e institucioneve të Kosovës. Në momentin kur shoqëria civile bëhet opozitë e institucioneve, ajo s’mund ta kryejë detyrën e saj. Shoqëria civile është për t’i ndihmuar institucionet e Kosovës dhe në këtë rrafsh kur nuk do të mungojë bashkëpunimi i Kuvendit me shoqërinë civile. Fundja, nuk mundet shoqëria civile të ketë përgjegjësi dhe vullnet më të madh se të zgjedhurit e popullit, për t’i shërbyer popullit të vet”, ka thënë Krasniqi.

Fushata parazgjedhore, sipas Krasniqit, është reflektuar në punën e Kuvendit, ku forma e debateve ka qenë jashtë rrjedhës normale.

“Fushata në përgjithësi ka ndikuar, por të tjerat jo. Ju e keni parë që kur ishte puna e miratimit të projektligjit për buxhetin e vitit 2010 ka shkuar mirë, nuk është reflektuar ajo që ka qenë në fushatë, besoj se çfarë ka reflektuar do ta shohim edhe në miratimin përfundimtar të buxhetit 2010. ajo çka është vërejtur është cilësia e punës në kuvend, forma e debatit ka qenë jashtë rrjedhave normale, Kuvendi është shfrytëzuar për propagandë të fushatës, mandej është keqpërdor edhe vetë ndërtesa e Kuvendit për punë që nuk janë të natyrës së Kuvendit”, ka thënë ai.

Krasniqi ka thënë se për të mirën e funksionimit normal të institucioneve, është i gatshëm që ta lërë postin e kryetarit të Kuvendit.

“Unë mund të them se nuk kam qenë i shqetësuar. Por, për faktin se kam qenë do të thotë, e di se si me kushtetutë vjen deri te ndërrimet dhe po të respektohej kushtetuta nuk do të mund të bëhej ai ndërrim, por megjithatë kam qenë i gatshëm që nëse është interesi i funksionimit normal të institucioneve të Kosovës, pse mos të bëhej edhe një ndërrim i tillë. Do të thotë, unë s’e kam lidhë fatin tim me të qenurit vetëm kryetar i Parlamentit”, ka thënë ai.

Kreu i legjislativit të vendit nuk ka dashur të prejudikojë nëse pas vitit të ri do të ketë debat për çështjen e CD-së së Nazim Bllacës, debat ky i kërkuar nga Partia Demokratike e Kosovës, por ka thënë se PDK-ja ka qenë edhe në të kaluarën e gatshme të bisedohet për të gjitha çështjet, ndërkohë që për akuzat e ngritura, ka thënë se janë organet e drejtësisë që duhet të merren me to e jo Kuvendi i Kosovës. /kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›