E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi: Mund të shtyhen zgjedhjet presidenciale

PRISHTINE- Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi përmend për herë të parë mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve presidenciale. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta Koha Ditore.

Kryesia e Kuvendit ka diskutuar gjatë për kërkesën e Komisionit për amendamentimin e Kushtetutës për t’i dhënë një mandat të ri për ndryshimin e nenit 84 lidhur me kompetencat e presidentit. Për këtë çështje do të vendoset më 20 janar në seancën e Kuvendit. Mirëpo, kryeparlamentari Krasniqi ka deklaruar që nëse ndryshohet neni 84, duhet të ndryshohen edhe nenet kushtetuese 64 e 65, që flasin për zgjedhjen e presidentit nga ana e Kuvendit.

Sipas tij, më mirë është bëhet një amendamentim i plotë i Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit dhe më pas të mbahen zgjedhjet presidenciale sipas afatit të parashikuar kushtetues. “Kjo është kërkesa ime, por varet nga partitë politike dhe deputetët”, është shprehur Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë.

Ndryshimi i nenit 84 të Kushtetutës mbështetet nga partitë politike. PDK-ja mohon se kjo kërkesë po bëhet me qëllim të shtyrjes së zgjedhjeve presidenciale për vitin e ardhshëm, kurse LDK-ja kundërshton kategorikisht shtyrjen e zgjedhjeve. Njëjtë shprehen edhe zyrtarët e AAK-së, por, sipas tyre, më të rëndësishme janë zgjedhjet parlamentare për ndërrimin e Qeverisë Thaçi, sesa shtyrja e zgjedhjeve presidenciale.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›