E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKR: Mos të luhet me emra presidentësh

Nga Express më 05 prill 2011 në ora 18:16

Aleanca Kosova e Re është e vendosur që ta respektojë marrëveshjen e koalicionit dhe për këtë i inkurajon të gjitha partitë politike në Kosovë, që të arrijnë kompromis për proceset e ardhshme politike në Kosovë, “por jo duke luajtur me emra presidentësh”.

“Siç është bërë e ditur gjerësisht, pas aktgjykimit të fundit të gjykatës kushtetuese, interpretimeve kontradiktore që ajo dha më pas, vendi është në një krizë institucionale, e cila kërkon angazhim dhe përkushtim të të gjithëve për tejkalimin e saj. AKR vlerëson se energjitë e klasës sonë politike po shpenzohen në zgjidhjen e saj, dhe jo në problemet reale të vendit, të lidhura me jetën e qytetarit. Imazhi i vendit nuk përfiton asgjë prej kësaj krize, por përkundrazi humb. ndaj duhet të vlerësohet dhe të analizohet çdo iniciativë, ngado që vjen, qoftë nga miqtë e Kosovës, apo nga parti politike, për ta zgjidhur krizën dhe për të mos e thelluar atë. AKR-ja në këtë drejtim është e vendosur që të respektojë marrëveshjen e koalicionit, dhe në këtë inkurajon te gjitha partitë politike në Kosovë që të arrijnë kompromis për proceset e ardhshme politike në Kosovë, por jo duke luajtur me emra presidentësh", thuhet në një deklaratë të AKR’së.

Më tutje, në njoftimin e kësaj partie, theksohet se “debatet për emrin e presidentit janë pjesë e lojërave politike”.

“AKR vlerëson se debatet për emrin e Presidentit, janë pjesë e lojrave politike, dhe jo kundërshtime thelbësore mbi të. AKR-ja bën thirrje që të zhvillohen kontakte të mëtejshme midis partive politike parlamentare për të dalë nga kriza. Iniciativa e djeshme për takimin midis zotit Hashim Thaçi dhe zotit Isa Mustafa, me ndërmjetësimin e Presidentit Pacolli duhet të jetë vetëm hapi i parë në drejtim të gjetjes së një marrëveshjeje politike që përfshin ligjin zgjedhor, ndryshimet e kushtetutës, etj”, thuhet më tej në deklaratën e AKR’së.

Më tutje, AKR-ja thekson se “iniciativa e djeshme për takimin midis Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, me ndërmjetësimin e presidentit Pacolli” duhet të jetë vetëm hapi i parë në drejtim të gjetjes së marrëveshjes politike, që përfshinë ligjin zgjedhor, ndryshimet e Kushtetutës, e të tjera.

“Ne besojmë se klasa politike e Kosovës do t’i gjejë forcat për të arritur një marrëveshje, duke adresuar siç duhet problemet reale të vendit dhe lartësuar imazhin ndërkombëtar të Kosovës”, përfundon deklarata e AKR’së.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›