E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaka, s’shkon përfundimisht në Olimpiadë

Granit Xhaka përfundimisht nuk do të jetë pjesë e Lojërave Olimpike Londra 2012. Bisedimet e vazhdueshme ndërmjet Federatës së Futbollit të Zvicrës dhe Borussia Monchengladbachut kanë përfunduar të dielën, ndërsa rezultati i këtij takimi është se futbollisti kosovar nuk do ta përfaqësojë ekipin helvetik në Olimpiadë.

“Kanë qenë negociata të vështira, por me përfundim të mirë. Jemi të kënaqur që Graniti do të qëndrojë me ne. Edhe për Granitin personalisht, ky vendim është mjaft i rëndësishëm”, ka thënë drejtori sportiv i Gladbachut, Max Eberl për magazinën gjermane, Kicker.

Xhaka ishte ftuar në mesin e 18 futbollistëve, për ekipin U-23 të Zvicrës, por ai ka preferuar të heqë dorë nga ky eveniment i rëndësishëm, në mënyrë që të ambientohet në ekipin e ri, ku ishte transferuar gjatë kësaj vere nga Baseli.

“Në fund, u gjend një kompromis i mirë. Për Granitin është e rëndësishme që ta zhvillojë fazën përgatitore me klubin e ri. Ai mund të jetë i përfshirë në ndeshjen e muajit të ardhshëm që do ta zhvillojmë në Kroaci, kah mesi i gushtit”, përfundoi Eberl.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›