E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: Plani gjashtëpikësh, është krijuar në Beograd

Prishtinë(start)-Kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi, deklaroi se dokumenti gjashtë-pikësh është prodhim i politikës së Beogradit dhe i pengesave nga Rusia. Sipas Krasniqit burimin dhe fillimin ky plan e ka jodemokratik, nga vende jodemokratike. Në një intervistë për Radion “Evropa e Lirë”, Krasniqi tha se institucionet e Kosovës janë të interesuar që me Bashkimin Evropian dhe trupat e BE-së të kenë koordinim të plotë dhe që EULEX-i të shtrihet në terë Kosovën, mirëpo, sipas tij, gjashtë pikat e ofruara nga marrëveshja e sekretarit të përgjithshëm me Beogradin, janë thjesht një dokument që nuk premton stabilitet në Kosovë, nuk premton stabilitet as në rajon dhe krijon probleme edhe për sot edhe për të ardhmen.

“Kjo është arsyeja që ky dokument është hedhur nga të gjitha institucionet e Kosovës. Tash mendoj që edhe qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar në kuptimin më të mirë të fjalës. Me një fjalë ne jemi të bindur se tanimë ai dokument ashtu siç është, është i papranueshëm, nuk garanton siguri, nuk garanton funksionalizimin e asnjë institucioni në Kosovë”-deklaroi kreu u Kuvendit të Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›