E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: Politika serbe është tradicionalisht antishqiptare

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka pritur të hënën udhëheqësit e Shoqatës së Muhaxhirëve të Kosovës dhe u ka dhënë atyre mbështetje për organizimin e konferencës shkencore ndërkombëtare për muhaxhirët me temën: “Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe rajoni i Toplicës 1877-1878”.

Drejtuesit e Shoqatës së Muhaxhirëve të Kosovës, kryetari Shefki Ukaj dhe sekretari Faik Hoxha theksuan se me anë të kësaj konference shkencore ndërkombëtare, pretendohet të paraqiten argumentet dhe të bëhet prezantimi i rezultateve dhe studimeve për këtë ngjarje të rëndësishme.

Më tej, ata pohuan se konferenca e organizuar nga Instituti i Historisë dhe Shoqata e Muhaxhirëve të Kosovës, do pasqyrojë në mënyrë sa më autentike, të plotë dhe gjithëpërfshirëse dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe rajoni i Toplicës, 1877-1878.

Përveç diskutimeve në konferencën në fjalë do të botohet edhe një përmbledhje e plotë e studimeve lidhur me këtë ngjarje.

Kurse kryekuvendari Jakup Krasniqi duke falënderuar udhëheqësit e Shoqatës së Muhaxhirëve të Kosovës, i përgëzoi ata për angazhimin e tyre në këtë drejtim, ndërkaq theksoi se akademitë shkencore dhe Instituti i Historisë duhet të angazhohen më shumë në këtë çështje.

“Kjo është njëra ndër periudhat më të dhimbshme të historisë sonë”, tha Krasniqi, duke shtuar se politika serbe është një politikë tradicionalisht antishqiptare.

Ai tha se duhet të punohet më shumë për të krijuar një faktografi për këtë periudhë, në mënyrë që kjo të prezantohet ndërkombëtarisht, sepse ka qenë njëra ndër periudhat më të errëta, por edhe më të rënda të gjenocidit të ushtruar ndaj shqiptarëve.

Duke i përgëzuar ata për konferencën shkencore Krasniqi tha se e mbështet angazhimin e tyre dhe idenë e kësaj konference shkencore për muhaxhirët.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›