E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: Qeveria e vendosur për zbatimin e planit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, si dhe zv/kryeministri Hajredin Kuçi e kanë cilësuar të drejtë vendosjen e rendit në veri. Krasniqi tha se vendosja e policëve dhe doganierëve në pikat kufitare 1 dhe 31, është rezultat i vendosmërisë së Qeverisë për zbatimin e planit të saj, në bashkëpunim me EULEX-in dhe KFOR-in.

“Vendosja e ligjshmërisë, e rendit dhe pushtetit në veri të Kosovës është e drejtë e patjetërsueshme, por edhe obligim kushtetues i institucioneve të Kosovës”, u shpreh Krasniqi. Ndërsa për zv/kryeministrin Kuçi, aktiviteti deri më tani ka shkuar 100 % sipas planit operacional. Sipas tij, në portën 1 dhe 31, në Jarinje dhe Bërnjak, janë të vendosur edhe doganierët dhe policia e Kosovës edhe ata të misionit EULEX dhe gjërat në kuptimin e planit operacional po shkojnë ashtu siç janë menduar.

“Ka tendenca për reagime qytetare nga ana e serbëve të stimuluara nga ndonjë grup kriminal apo ndoshta edhe nga qeveria e Serbisë, mirëpo ajo çka mund të themi se gjatë vendosjes së policisë dhe doganierëve në pikën një dhe 31 nuk ka pasur incidente”, u shpreh Kuçi.

Ai informon se qeveria e Kosovës është përqendruar për vendosjen e rendit dhe ligjit në pikat kufitare një dhe 31, por patjetër që rrugët do të zhbllokohen dhe do të ketë qarkullim të lirë edhe të mallrave edhe të individëve për një jetë normale të qytetarëve tanë atje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›