E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi: Sulmete PD ndaj Topitpresione politike

TIRANë- Përpara se maxhoranca e djathtë të hartojë ligjin organik për funksionimin e presidentit, ajo duhet të hartojë një të tillë për institucionin e parlamentit, që në këtë rast do të shmangte përplasjet mes palëve. Ky propozim vjen nga ish-këshilltari i presidentit Afrim Krasniqi, i cili thotë se ligji për funksionimin e presidentit, duhet të jetë solid, kërkon një shumicë të cilësuar dhe kurrsesi një ligj i momentit, i cili do të sillte impakte negative

“Unë mendoj që deputetët përpara se të merren me institucionin e presidentit duket të merren me institucionin ku ata punojnë. Pra të krijojnë një ligj për funksionimin e parlamentit dhe nëse do kishin një mjedis të tillë, mendoj që shumë nga debatet dhe keqkuptimet e tanishme do të ishin ezauruar. Do të duhet që ligji për funksionimin e presidentit të jetë solid, të mos jetë një ligj momenti, sic kërkohet në rastin konkret, por të jetë një ligj gjithëpërfshirës, ku të përcaktohet edhe statusi i presidentit. Një ligj i tillë kërkon vota cilësore, pra kompromis mes palëve politike. Duhet të bëhet në një kohë të qetë, pa u lidhur me emrin e individit që ushtron funksionin, por me 20 vitet e ardhshme të funksionimit të sistemit politik në Shqipëri”, - deklaroi Krasniqi.

Ndërsa akuzat e Partisë Demokratike ndaj presidentit për shkelje të Kushtetutës, Krasniqi i cilëson politike. Sipas tij ato bëhen për tre arsye kryesore: “E para për ta takuar presidentin në një debat që për publikun nuk është tërësisht i qartë dhe nga ana tjetër është i interpretueshëm. E dyta për shkak se presidenti shprehu rezerva në raport me ligjin e SHISH dhe gjithashtu për shkak se Gjykata Kushtetuese, përfshi edhe kryetarin kanë votuar në mënyrë të qartë kundër dy ligjeve themelore për maxhorancën, që janë ligji i lustracioneve dhe ai i për marrëveshjen me Greqinë. Nga ana e zhvillimeve të brendshme politike, edhe PD-ja me këtë sulm i dha një përgjigje të qartë dhe të prerë presidentit, për mos tu kthyer më në këtë parti pas përfundimit të mandatit”, - theksoi Krasniqi.

Ajo që paraqet shqetësim për Krasniqin është fakti që një numër anëtarësh kanë refuzuar kërkesën e presidentit për tu dekretuar për postin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo sipas Krasniqit ka të bëjë me presionet politike që ushtrohen ndaj Kushtetueses për ato vendime, të cilat janë në kundërshtim me qeverinë.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›