Mançester Junaitid, 12 milionë sterlina për Ozilin
Mançester Junaitid është përpara Realit të Madridit, Arsenalit dhe Totenhemi në garën për të nënshkruar me yllin gjerman në Kupën e Botës, Mesut Ozil. Sipas “Daily Maili”, trajneri Aleks Ferguson ka gati ofertën prej 12 milionë sterlinash për mesfushorin e Verder Bremenit, të cilin ai e sheh si një pasues me kohë të gjatë të Pol Skols në “Old Traford”. Kontrata e 21-vjeçari me Bremenin skadon në verën e ardhshëm, dhe në rast se Ozil nuk do të rinovojë kontratën atëherë ai mund të largohet në parametra zero. Ozil ishte një nga yjet e Botërorit në Afrikën e Jugut dhe me performancën e tij ndihmoi Gjermaninë të kapte vendin e tretë. Ai shkëlqeu në shkatërrimin 4-1 të Anglisë në raundin e dytë. Edhe rivalët e Junaitid në Premier Ligë, Arsenali dhe Totenehemi interesohen për Ozilin. Arsen Venger e shef atë si pasuesin ideal të Sesk Fabregasit nëse spanjolli do të largohej te Barcelona. Menxheri i Madridit, Hoze Murinjo, është gjithashtu i interesuar për lojtarin. Për Ozilin janë të interesuara më se 10 skuadra, por në pole pozicion janë Mançester Junaitid dhe Real Madrid. Djajtë e Kuq po mendojnë ta befasojnë Realin me një ofertë prej 12 milionë funtesh për Ozil, pasi që madrilenët nuk janë në disponim për të shpenzuar tani dhe dëshirojnë të arrijnë një parakontratë me lojtarin, në mënyrë që ai të transferohet në parametra zero sezonin e ardhshëm. Nga ana tjetër, thuhet se Verder Bremeni është i gatshëm të bisedojë me Junaitid, dhe sipas të gjitha gjasave e ardhmja e Ozil mund të vendoset shumë shpejtë, brenda dy javësh, apo ndoshta edhe në ditët e fundit të afatit kalimtar veror.
VENGER
Menaxheri i Arsenalit, Arsen Venger, ka deklaruar se ai nuk ka nevojë të shpenzojë në afatin kalimtar veror, pasi që ai ka një skuadër të re e cila është në gjendje ta fitojë Ligën Premier.
“Ne duhet ta kujtojmë veten se kemi vendosur të luajmë me një ekip shumë të ri tre apo katër vite më parë, me qëllim që ta zhvillojmë këtë ekip. Unë besoj se dy vite më parë ne ishim mjaft larg titullit, por vitin e kaluar, në prill ne ishim vetëm dy pikë larg majës. Natyrisht, ne duhet të jemi edhe më pranë këtë herë pasi që zhvillimi është pjesë e këtij ekipi të ri. Unë e di se në Angli kur nuk e fitoni titullin gjithçka sillet rreth asaj se duhen bërë blerje, por çfarë është me rëndësi është që ne të përmirësohemi individualisht dhe si ekip, pasi që jemi një ekip shumë i ri. Ne nuk jemi një ekip në fund të ciklit, ne jemi në fillim të një cikli. Kështu që, e ardhmja jonë nuk vendoset nga ajo se sa do të blejmë, por se sa do të përmirësohemi”, - u shpreh francezi.
Interi, 24 milionë për Maskeranon
Interi është gati të hidhet në sulm për të siguruar shërbimet e Havier Maskeranos, mesfushorit të Liverpulit dhe të preferuarit të trajnerit të ri zikaltër, Rafa Benitezit. Sipas asaj që shkruante “Daily Express”, klubi i presidentit Masimo Morati është gati të ofrojë 24 milionë euro për argjentinasin. Maskerano, i cili luan prej tre sezonesh në “Anfild” mund të përjashtohet nga lista e Roj Hodgsonit për miqësoren e “Reds”-ave kundër Borusia Menshengladabut. Anësori i majtë i Fiorentinës, Juan Manuel Vargas, do të qëndrojë 10 ditë larg fushave për shkak të një dëmtimi. Pas gjashtë muajve te La Gantoise në kampionatin belg, sulmuesi Luigi Pieroni do të ribashkohet me Standard de Liege për dy sezone. Largimi i Hatem Ben Arfa nga Olimpik Marseille por ngjyra reale. Klubi gjerman Hoffenehim ka nisur tratativa serioze për mesfushorin. Portieri 27-vjeçar Boaz Myhill u largua nga Hull City te Uest Brouich Albion për shumën e 2 milionë eurove.
Sami Khedira: “Realizova një ëndërr”
“Është një ëndërr e shndërruar në një realitet”. Këto ishin fjalët e para të mesfushorit gjerman, Sami Khedira, i sapo blerë nga Reali i Madridit të Hoze Murinjos. 23-vjeçari, një nga zbulimet e Kampionatit Botëror, nuk di si ta shprehë gëzimin e tij. “Jam i lumtur si një fëmijë dhe këtu mund të fitoj me të vërtetë shumë tituj”.
Miqësorja shndërrohet në “luftë”
Pas Cagliari-Bastia, një tjetër ndeshje miqësore pezullohet për shkak të grindjeve masive: Katania-Iraklis, e përfunduar në minutën e 70-të, kur rezultati ishte 1-0 për Katanian.
Lotito: “Gabova që mora Lacion”
Presidenti i Lacios, Claudio Lotito, bëri një rrëfim tronditës: “Marrja e Lacios ishte një gabim. Ky është gabimi im më i madh”. Drejtori sportiv i Lacios është shqiptari Igli Tare.
Barcelona, Marquez prish kontratën
Prishje konsensuale të kontratës midis Barcelonës dhe Rafael Marquez. Kapiteni i Kombëtares meksikane do të shkojë në SHBA te Nju York Red Bull.
Inter-Siti, Mancini jo në bankinë
Roberto Mancini nuk do të jetë në bankinën e Manchester City në ndeshjen miqësoren kundër Inter, takim që do të luhet në Baltimore të SHBA-së. Trajneri ndodhet në Itali për motive të rënda familjare.
Juventus, PSG dëshiron Zebina
Paris Saint-Germain, në kërkim të një mbrojtësi, dëshiron Jonathan Zebina, francezi e Juventus. Lajmin e dha gazeta “Le Parisien”.
2 Gusht 2010