Krasniqi: Tryeza me kushte paraprake është e dështuar
Autori i Lajmit: Redaksia
Afrim Krasniqi shprehet skeptik për mbledhjen e një tryeze negociatash nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Sipas ish-këshilltarit të ish-Presidentit, Alfred Moisiu një tryezë politike në 2010-ën është shumë e ndryshme nga ato të mëparshmet. “Është hera e parë që Shqipëria duhet të promovojë aftësinë e saj për zgjidhjen e krizave politike dhe është një provë e madhe për Shqipërinë. Kështu që unë mendoj se kjo tryezë edhe nëse do të zhvillohet, do të jetë sketiptike nga mënyra sesi do të organizohet dhe nga produkti që ajo do të sjellë. Nëse palët i venë kushte paraprake Presidentit që ne pranojmë tryezën vetëm nëse realizohet kjo gjë, atëherë tryeza është e dështuar”, - është shprehur ai. Krasniqi kujton se në 2007-ën, Edi Rama e cilësoi të papranueshme mungesën në tryezë të kryetarit të Partisë Demokratike. Zoti Rama u rikthye në tryezë, vetëm pasi mori garanci se Presidenca komunikonte direkt me Sali Berishën. Por jo nëpërmjet nënkryetarit të Partisë Demokratike, Bamir Topit, por nëpërmjet të mandatuarit të vërtetë të Sali Berishës, Fatmir Mediut. “Nuk parashikoj dhe nuk pres që Partia Demokratike të përfaqësohet në nivel kryetari. Argumenti do të jetë i përhershëm: që kryetari është Kryeministër dhe Kryeministri nuk vjen në tryezë të partive politike. Kështu ka ndodhur në shumicën e tryezave të mëparshme”, - tha Krasniqi.
Ky lajm është publikuar: 01/02/2010