E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Nuk mund të ketë tryezë me kushte”

Autori i Lajmit: Suela TopiPartia Socialiste nuk ka vullnet për dialog pavarësisht kërkesës së qartë të Këshillit të Evropës në këtë drejtim. Kështu është shprehur dje zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta pas vizitës në Londër. Sipas numrit dy të Qeverisë mazhoranca dhe opozita nuk mund të ulen në një tryeze dialogu te Presidenti i Republikës për sa kohë që Partia Socialistë vazhdon të këmbëngulë në kërkesën e saj për hapjen e kutive të votimit. Meta shtoi se socialistët nuk po tregohen seriozë për të respektuar rezolutën e Asamblesë së Këshillit të Evropës për zgjidhjen e krizës politike. Kreu i diplomacisë shqiptare akuzoi Ramën se po injoron rregullat e nënshkruara nga vetë ai, dhe se po synon të fusë vendin në krizë.
Kritikat për PS
Kreu i diplomacisë shqiptare ka shprehur keqardhje për reagimin e socialistëve pas miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ndërsa ka pohuar se PS nuk është e sinqertë. “Strasburgu ishte një dështim i madh për ta dhe evidentoi edhe politikën e tyre destruktive në dëm të vendit, sikurse ishte kërkesa e tyre për heqjen e kredencialeve të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KE-së e cila nuk u mor nën konsideratë për arsye se në rast se Shqipëria ka një problem, i cili është mosfunksionimi parlamentar i opozitës, ky është një problem i shkaktuar nga vetë lidershipi i saj”, - pohoi Meta. Ai shtoi më tej se mazhoranca e ka përshëndetur rezolutën, madje edhe kur ajo ka qenë një projekt-rezolutë, sepse në fund të fundit i gjithë thelbi i kësaj rezolute ka të bëjë me atë që mazhoranca i ka ofruar me kohë opozitës, komisionin hetimor parlamentar dhe shumicën në të. Por sipas tij, PS i lexon mbrapsht rezolutat, duke mos pasur asnjë vullnet për dialog duke qenë se nuk pranojnë një dialog që respekton Kushtetutën e vendit, çka është esenciale dhe e panegociueshme, por njëkohësisht vendosin kushte të cilat e zhvleftësojnë dialogun ende pa filluar.
Tryeza e Topit
Meta ka pohuar se nuk mund të ketë tryezë dialogu për sa kohë PS vazhdon me kërkesat e saj antikushtetuese. “Besoj se qëndrimi i Kryeministrit ka qenë tepër korrekt dhe parimor, i cili ka bërë të ditur se nuk ka asnjë lloj paragjykimi për cilindo që inicion një dialog, por padyshim që është shumë e rëndësishme që dialogu duhet të ndodhë mbi bazën e respektimit të Kushtetutës së vendit dhe kuptohet se në kushte ku Edi Rama kërkon të vendosë një kërkesë anti-kushtetuese, ky lloj dialogu nuk mund të funksionojë dhe as nuk mund të ketë ndonjë rezultat”, - tha Meta duke shprehur edhe njëherë gatishmërinë e mazhorancës por pa u tërhequr nga qëndrimi i saj. Sipas tij Berisha nuk ka asnjë paragjykim për institucionin e Presidentit, por ka një mosbesim në lidhje me seriozitetin e Ramës në përpjekjen për të zgjidhur këtë krizë e cila është kryesisht krizë e opozitës. Meta Shtoi se opozita i ka injoruar rregullat e lojës, të cilat i ka firmosur vetë, dhe natyrisht që Rama synon që në këtë krizë të tij, të tërheqë edhe institucionet e tjera të vendit. Meta ritheksoi se hapja e kutive të votimit është kërkesë antikushtetuese.
Për sa i përket sistemit të ri zgjedhor nëse do ketë një dialog mazhorancë-opozitë, Meta shtoi se LSI është për çdo lloj sistemi të ndershëm dhe brenda standardeve të OSBE-ODHIR-it. Meta ka komentuar më tej dhe vizitën e tij në Londër ndërsa e ka vënë theksin tek kontributi i Shqipërisë në Afganistan dhe tek angazhimet e saj si anëtare e NATO-s.

Ky lajm është publikuar: 01/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›