PS: Kriza po rëndohet, PD të shprehet për tryezën me presidentinNga Tema Deputeti socialist, Namik Dokle, tha dje se vendi po zhytet më shumë në krizë, duke e bërë situatën shqetësuese. Dokle tha se mazhoranca po tregon një papërgjegjshmëri
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
PS: Kriza po rëndohet, PD të shprehet për tryezën me presidentinNga Tema
Deputeti socialist, Namik Dokle, tha dje se vendi po zhytet më shumë në krizë, duke e bërë situatën shqetësuese. Dokle tha se mazhoranca po tregon një papërgjegjshmëri shqetësuese ndaj rezolutës së Këshillit të Europës.
“Hipokrizia politike dhe mashtrimi mediatik i krerëve të qeverisë, kuvendit dhe Partisë Demokratike, shumë shpejt zuri vendin e fjalëve të tyre përshëndetëse për Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Asambleja konfirmoi krizën politike të shkaktuar nga qeveria, kurse ata gëlltiten për ta mohuar.
Asambleja kërkoi hetimin e zgjedhjeve, kurse ata dredhojnë nëpër labirinte pa rrugëdalje.
Asambleja do të dërgoj komision monitorimi për zgjidhjen e krizës, kurse ata ngrenë barriera për të fshehur të vërtetën.
Asambleja kërkoi dialog në tryezën politike të presidentit, kurse ata përpiqen ta shumëzojnë me zero e ta bëjnë inekzistent me presione te ndryshme.
Me këtë papërgjegjshmëri totale, mazhoranca nuk bën gjë tjetër veçse e rëndon krizën,” tha Dokle.
Ai përsëriti sërish kërkesën që mazhoranca të shprehet për tryezën me presidentin. “Përmes Kryetarit të PS, jemi shprehur të gatshëm për të qenë pjesë e një tryeze negociatore me praninë e Presidentit, por deri me tash ky vullnet nuk është parë nga Partia Demokratike.
Me rrugë ligjore, apo me protesta demokratike, opozita do ta çojë deri në fund aksionin e saj politik dhe emancipues, do ta çojë deri në fund realizimin e kërkesave të saj për hetim dhe transparencë të plotë të procesit zgjedhor: në kuti dhe jashtë kutive, për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë manipulimit dhe vjedhjes së zgjedhjeve që është kthyer në një kancer për demokracinë,” tha Dokle.