Krasniqi: VV pushtetin ta marrë me zgjedhje të lira
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka reaguar ndaj veprimeve të fundit të Lëvizjes Vetëvendosje, me rastin e kundërshtimit të ratifikimit të marrëveshjes. Ai ka thënë se VV-ja me këto veprime ia ka bërë një shërbim të mirë kundërshtarit politik të tyre.
Krasniqi ka shkruar në faqen e tij zyrtar në Facebook se në vend që të bëhej kryelajm në të gjitha mediet e vendit, Marrëveshja e keqe, kryelajm u bënë veprimet e dhunshme të VV-së mbi deputetët dhe diplomatët e sidomos pengesat e bëra ndaj ambasadores së SHBA-së.
Ai ka shkruar se, veprimet e tilla janë tepër të dëmshme për demokracinë e brishtë të Kosovës. Veprimet e VV-së mbyten lajmin për marrëveshjen e keqe duke i bërë një shërbim të mirë kundërshtarit politik të tyre, ka shkruar Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se përgatitja për të ushtruar dhunë me gur mbi policët është një akt tjetër i dënueshëm dhe sulm mbi institucionin më vital të shtetit. Policët janë siguria e shtetit demokratik kudo e nuk mund të jetë ndryshe as tek ne, në Kosovë. Atyre djemve politika duhet tua mbron dinjitetin e jo tua përdhos atë, ka thënë Krasniqi.
Kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se për veprimet që i ka bërë VV-ja është dashur të kërkoj falje publike. Për këto veprime jodemokratike tejet të dëmshme, VV duhet të kërkoj falje publike dhe të reflektoj seriozisht e besueshëm, përndryshe ajo do të vazhdoj të humbë edhe mbështetjen që kishte deri më sot. Populli ynë nuk është i gatshëm të konfrontohet me bijtë e vet për t’i shërbyer këtij apo ati autoritari, ka thënë Krasniqi.
Ai ka shtuar se për sjelljet e tyre në Kuvend nuk e ka ndërmend të flas. Le të flasë opinioni publik pasi ai është informuar qartë. Deputetëve të VV-së në Kuvend ju është dhënë hapësira e duhur për t’i thënë qëndrimet e tyre, bile edhe përtej asaj që ishte e lejuar, nëse do të kemi parasysh rendi i ditës, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka porositur VV-në që pushtetin ta marr me zgjedhje të lira, si PS në Shqipëri. Rruga që po e kërkon VV mund të jetë rrugë e riciklimeve, por jo e zhvillimit dhe asgjë më shumë se zhvillimi nuk i duhet vendit tonë. E zhvillimi fillon me sundimin e ligjit. Sundimi i ligjit i duhet çdo qytetari në Republikën tonë. Pa sundimin e ligjit nuk ka zhvillim as demokratik e as ekonomik, ka shkruar në Facebook Krasniqi.