E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: Çdo ndryshim i emërtimit, shkelje e Kushtetutës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se çdo ndryshim i emërtimit Republika e Kosovës në përfaqësimin e saj rajonal, përbën shkelje të Kushtetutës së Kosovës. Në një intervistë për mediat kosovare, kryeparlamentari Krasniqi, deklaroi se Kosova nuk duhet të bëjë kompromise të tjera. Sipas tij, Kosova është shtet i pavarur dhe me emrin e saj, Republika e Kosovës, duhet të përfaqësohet edhe jashtë vendit.
 

Këtë deklaratë, Kryetari i Kuvendit e bëri në ditën kur në Prishtinë ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Robert Cooper dhe kryenegociatorja, Edita Tahiri, diskutojnë për mënyrën e përfaqësimit të Kosovës në rajon, pjesë kjo e bisedimeve teknike Kosovë-Serbi.
 

“Realisht përderisa në Kushtetutë shkruhet Republika e Kosovës dhe nëse hiqet fjala Republikë, atëherë është një shkelje e Kushtetutës. Unë mendoj se presioni i Bashkimit Evropian mbi Kosovën nuk është dashur të bjerë në këtë nivel. Ne si Kosovë kemi bërë kompromise me dokumentin gjithëpërfshirës të presidentit Marti Ahtisari dhe unë mendojë se Kosova nuk duhet të futet në kompromise të tjera”, ka thënë Krasniqi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›