Zgjedhjet lokale në Serbi, përpara 11 marsit

Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, ka thënë se “ekzekutivi serb nuk ka sjellë ende vendim për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës, ndërsa ato parlamentare dhe presidenciale do të mbahen me siguri”.
“Qeveria do të sjellë vendimin për zgjedhjet lokale para 11 marsit, afati i fundit për shpalljen e zgjedhjeve”, ka thënë Bogdanoviç për mediat serbe.
“Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale do të mbahen 100%. Këtu nuk ka dilemë. Kjo është në përputhje me Rezolutën 1244”, ka shtuar ai.
Bogdanoviç ka thënë gjithashtu se Serbia do ta ketë parasysh qëndrimin e partnerëve të Bashkimit Evropian, gjë që “ nuk do të ndikojë në vendimin për zgjedhjet lokale në Kosovë”.
Deri tani, zgjedhjet e Serbisë janë mbajtur disa herë edhe në Republikën e Kosovës, por rezultati i tyre nuk është njohur si legjitim as nga autoritetet kosovare, as nga ato ndërkombëtare.