E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi kërkon mbështetje nga Kuvajt

Në vazhdim të vizitës zyrtare në Kuvajt, delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i prirë nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, është pritur të martën në takime të ndara në Fondin e Kuvajtit për Zhvillim dhe në Bankën Kuvajtiane për Investime.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Fondit të Kuvajtit për Zhvillim, Ghanem Al-Ghenaiman, e ka njoftuar delegacionin e Kosovës për Fondin dhe veprimtarinë e tij shumëvjeçare.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, pasi i ka njoftuar mikpritësit për gjendjen në Kosovë, ka paraqitur nevojat e shumta zhvillimore që ka Kosova, sidomos në fushën e bujqësisë, energjetikës, infrastrukturës dhe shëndetësisë, për të cilat kërkoi mbështetjen e Fondit. Me qëllim të njohjes nga afër me mundësitë e mbështetjes në projekte të caktuara, Krasniqi ka ftuar një delegacion të Fondit për vizitë në Kosovë.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Fondit ka shprehur mirëkuptim të plotë për kërkesat e Kosovës dhe kërkoi hartimin e projekteve përkatëse nga Qeveria e Kosovës. Të dy palët janë dakorduar që në vijim lidhjet dhe komunikimi i Fondit të bëhen me dikasteret përkatëse të Qeverisë së Kosovës.

Me qëllim të fillimit të procedurave, mbështetjes dhe studimit të projekteve, Ghanem Al-Ghenaiman ka theksuar se në të ardhmen e afërt, një delegacion i Fondit, i kryesuar nga Drejtori Rajonal për vendet e Azisë Qendrore dhe Evropës, Yousef G. Al-Bader, do ta vizitojë Kosovën dhe ka shfaqur shpresën se në vitin e ardhshëm Fondi do të nënshkruajë një marrëveshje për bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës për realizimin e projekteve prioritare.
Delegacioni parlamentar i Kosovës, në përbërje të të cilit janë edhe nënkryetarët Sabri Hamiti e Glauk Konjufca dhe deputeti Nait Hasani, e ka përfunduar po të martën vizitën zyrtare në Kuvajt. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›