Krasniqi kërkon vetëpërmbajtje nga spektri politik shqiptar
Presidenti në detyrë i Kosovës, Jakup Krasniqi, lidhur me ngjarjet e djeshme në Tiranë, i ka dërguar një telegram ngushëllimi presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, në të cilin shpreh keqardhje për viktimat dhe lëndimin e dhjetëra qytetarëve dhe policëve.
“Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, dhe në emrin tim Personal, Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta juve dhe përmes Jush familjeve që humbën familjarët dhe më të dashurit e tyre në protestat e djeshme në Tiranë, ndërsa të lënduarve ju urojmë shërim sa më të shpejtë”, thuhet në mesazh.
Krasniqi ka thënë se në këto momente të rëndësishme për perspektivën evropiane të Shqipërisë është shumë i rëndësishëm stabilizimi i situatës, vetëpërmbajtja e spektrit të gjerë politik dhe gjetja e një zgjidhje institucionale për kapërcimin e kësaj situate.