Sparkes: EULEX-i nuk frikësohet
Zëvendësshefi i EULEX-it, Endi Sparks, interpretimet e fundit të disa medieve se misioni evropian për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë u jep instruksione pjesëtarëve të vet që të kenë kujdes në veri të Kosovës, i ka quajtur të gabuara.
Ai këto komente i bëri të shtunën, duke iu përgjigjur interesimit të medieve në lidhje rreth asaj se veriu i Kosovës është shpallur zonë e rrezikshme nga ana e EULEX-it dhe pjesëtarët e saj duhen të jenë shumë të kujdesshëm. Numri dy i EULEX-it, ka thënë se procedurat e sigurisë për pjesëtarët e misionit evropian për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë ekzistojnë për një kohe të gjatë dhe nuk paraqesin ndonjë situatë të re.
“Sa i përket referimit të informacioneve nga EULEX-i që ka pasur të bëjë me stafin e brendshëm rreth procedurave të sigurisë kur njerëzit tanë janë në Kosovë. Këto procedura të sigurisë për njerëzit tanë janë rutinore dhe ato ekzistojnë për një kohë të gjatë dhe nuk paraqesin situatë të re”, ka thënë Sparkes, sipas të cilit nuk do të thotë që EULEX-i nuk është në gjendje që të veprojë në pjesën veriore të Mitrovicës.
“Madje, është e kundërta, dhe interpretimi që është bërë kohëve të fundit është mjaft i gabueshëm”, ka shtuar ai.
Për sa i përket tensioneve të krijuara në veri për shkak të konfiskimit të targave të reja të Serbisë për Kosovën, Sparks ka thënë se kjo çështje tashmë është tejkaluar dhe se nuk ka probleme. “EULEX-i asnjëherë nuk përzihet në punët e brendshme të Kosovës. Sa i përket tabelave të automjeteve, siç e dinë të gjithë ka qenë një marrëveshje. Përkundër situatës së komplikuar politike në veri është vendosur që ajo status kohë të lëvizet, e kemi parë që nuk ka qenë mjaft shpresëdhënëse. Unë, me sa e di, kjo situatë është tejkaluar”, pohoi Sparkes.
Ndërkaq, ministri në largim i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, ka sqaruar qëndrimin e tij në lidhje me EULEX-in, i cili sipas tij është keqinterpretuar nga mediat. Ai ka përmendur bashkëpunimin e mirë ndërmjet MPB-së dhe EULEX-it.
“Në bazë të analizave tona situate nuk është më e rrezikshme se sa më parë. Kjo prapë është çështje e EULEX-it. Dhe në një pyetje që më është bë, nëse EULEX-i nuk e përmbush detyrën e vet kush do t’i mbrojë qytetarët, kam thënë janë edhe policia dhe KFOR-i. Si njeri me përvojë politike e di që nuk është kompetencë e imja dhe nuk kam thënë se EULEX-i duhet të tërhiqet” ka sqaruar Rexhepi, për të cilin ky ka qenëm vetëm spekulim i medieve. “Unë nuk dua të merrem me ato, unë e di çka kam thënë. Edhe njëherë po them se për punën e mirë të EULEX-it do të kem lëvdata vazhdimisht do të bashkëpunojmë ngushtë dhe aty ku mendon se nuk i përmbushin pritjet në bazë të mandatit ose qytetarëve do të jemi të hapur edhe për kritika”, ka thënë ai.
Ditë më parë, mediat kanë raportuar se EULEX-i u ka sugjeruar pjesëtarëve të tij që të kenë kujdes gjatë lëvizjeve në pjesën veriore të Mitrovicës.