E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitrovica rivoton nesër

Nga Express më 22 janar 2011 në ora 17:18

Në komunën e Mitrovicës të dielën do të hapen 29 qendra të votimit, me 104 vendvotime, në kuadër të rivotimit për zgjedhjet nacionale të 12 dhjetorit. Për shkak të parregullsive të shënuara në ditën e votimit, KQZ-ja ka vendosur që të rivotohet në tërë komunën e Mitrovicës.

Gani Mikullovci, zyrtar i lartë komunal i zgjedhjeve, tha se në listën e votuesve janë gjithsej 86 834 votues, nga të cilët 71 580 shqiptarë dhe 15 254 serbë. Sipas tij, të gjitha përgatitjet e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve janë bërë dhe nuk ka pasur ndonjë problem. Në këtë proces janë inkuadruar me kohë dhe kanë bashkëpunuar ngushtë përfaqësuesit e të gjitha përkatësive etnike që jetojnë në komunë, me përjashtim të serbëve në pjesën veriore të Mitrovicës.

Mikullovci më tej ka shtuar se në veri të Mitrovicës do të hapen katër qendra të votimit, me gjashtë vendvotime - në “Lagjen e Boshnjakëve”, në “Kodrën e Minatorëve”, në Vidimriq dhe Gushavc. Në lagjet veriore, ku jetojnë serbët, zgjedhjet do t’i organizojnë me ekipe mobile IFES-i, kurse nga partitë politike që marrin pjesë në zgjedhje janë dërguar 728 anëtarë për këshillat e vendvotimeve dhe ata kanë të drejtë të dërgojnë edhe nga dy vëzhgues për secilin vendvotim.

Në anën tjetër, Ismet Kryeziu nga koalicioni i organizatave jo qeveritare “Demokracia në Veprim”, i ka thënë gazetës Koha Ditore se vëzhguesit e këtij koalicioni do të jenë të pranishëm në të gjitha qendrat e votimit në Mitrovicë.

Sipas tij, DV do të sjellë njerëz nga e gjithë Kosova, pasi që vëzhguesit nga Mitrovica, të cilët kanë monitoruar zgjedhjet e 12 dhjetorit, janë tërhequr. (kd)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›