E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestë kundër raportit të Martyt

Nga Express më 22 janar 2011 në ora 20:10

Dick Marty duhet të hulumtojë për të vërtetën dhe të denoncojë krimet serbe të bëra kundër popullatës shqiptare në Kosovë dhe jo të merret me shpifje kundër luftës së drejtë që ka bërë UÇK-ja, u tha në një protestë të shqiptarëve para selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork kundër raportit, i cili do të paraqitet të martën para Asamblesë së Këshillit të Evropës.

Pjesëmarrësit nënshkruan edhe një peticion që do t’u dërgohet institucioneve përkatëse.

Analisti politik, Gjek Gjonlekaj, për Kosovapress deklaroi se raporti i Martyt është i përgatitur në kuzhinat ruse dhe serbe, i cili ka për qëllim dëmtimin e imazhit të Kosovës dhe dobësimin e palës kosovare në bisedimet e paralajmëruara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Raporti i Dick Martyt është një raport i mbrapshtë, një fabrikim i gënjeshtrave të ndryshme dhe i cili është bërë me qëllim para se të fillojnë bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës, që serbët të kenë arsye të kundërshtojnë palën shqiptare, e cila do të paraqesë fakte të tmerrshme në ato bisedime për vrasjen e 15 mijë vetëve, 2 mijë persona të humbur, dëme materiale dhe rrënimet e shtëpive”, ka thënë Gjonlekaj.

Ai thotë se raporti i Martyt gjithashtu është bërë me qëllim që të dëmtojë të ardhmen e shqiptarëve dhe imazhin e tyre para syve të botës, por është edhe një tentim që të mbulojë krimet dhe gjenocidin e bërë nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe.

“Ata (serbët) kanë dështuar dhe u munduan ta përdorin këtë pikën e fundit nëse mund të shpëtojnë nga situata dhe akuzat shqiptare dhe gjithëbotërore, sepse ata kanë shkaktuar një tragjedi të madhe popullit shqiptar. Ka qenë një tmerr, një gjenocid dhe të gjithë e kanë pranuar se është gjenocidi më i madh në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë Gjonlekaj.

I ardhur nga shteti i Miçiganit me një grup veprimtarësh, Luigj Gjokaj thotë
se raporti i Dick Martyt i ka indinjuar shumë shqiptarët në Amerikë dhe kudoqofshin ata, pasi është shpifës dhe antishqiptar.

“Edhe ne shqiptarët në diasporë, e në Detroit në veçanti, e kanë pritur këtë raport me shumë brengosje, sepse edhe ata kanë dhënë kontributin e vet për liri dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Organizatori i kësaj proteste, i cili ka qenë drejtor i fondit “Vendlindja thërret” për SHBA dhe Kanada, Shefki Mexhani, shprehet për Kosovapress se qëllimi i kësaj proteste është që edhe diaspora shqiptare në Amerikë të shprehë mllefin e saj ndaj raportit shpifës të senatorit zviceran.

“Po donë të bëjnë një lloj baraspeshe, ata të cilën bënë masakra dhe të masakruarit. Ne nuk ishim ata që i bëmë ato, por ishte Serbia dhe ushtria e saj, militare e paramilitare, kurse unë do ta ftoja Dik Martin ta vlerësojë më mirë situatën dhe të lexojë historinë dhe luftën e UÇK-së, sepse nuk është e vërtetë ajo që thotë ai”, ka thënë Mexhani.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›