E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi i Gjilanit u dënua pa fakte

Nga Express më 22 janar 2011 në ora 19:33

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇPMB-së vendimin e djeshëm të Gjykatës Speciale të Serbisë për dënimin me 101 vjet burg të nëntë shqiptarëve nga Presheva, e priti me një indinjatë të thellë, pasi një vendim i tillë është marrë pa u bazuar në fakte.

“Nëntë vëllezërit tanë u dënuan me mbi një shekull heqje lirie për krimet të cilat u ngarkuan nga Gjykata, por nuk arritën të gjejnë as edhe një provë konkrete të kryer nga vëllezërit tanë. Ky vendim edhe një herë dëshmon se drejtësia e gjykatës Serbe pa dyshim se qëndron pas politikës së vjetër anti-shqiptare, sepse u dëshmua se Serbia edhe më parë ka organizuar procese të tilla”, thuhet në reagim.

OVL e UÇPMB-së i bën thirrje faktorit udhëheqës vendor që lidhur me këtë vendim të jenë më unik për lirimin e të dënuarve në një periudhë sa më të shpejtë, duke i harruar ambiciet e tyre për interesat personale, pasi ky realitet i hidhur nuk rëndon vetëm 9 të dënuarit, por gjithë popullin shqiptar.

Gjykata Supreme e Serbisë në Beograd dje ka dënuar me 101 heqje lirie nëntë pjesëtarët e të ashtuquajturit Grupi i Gjilanit, për kinse krimet e bëra ndaj civilëve serbë dhe nacionaliteteve të tjera në territorin e Gjilanit, në periudhën qershor-shtator 1999.

Agush Memishi është dënuar me 15 vjet, Faton Hajdari 10 vjet, Ahmet Hasani u dënua me 10 vjet burgim, Nazif Hasani 10 vjet, Samet Hajdari 15 vite, Ferat Hajdari 8 vjet, Kamber Sahiti 8 vjet, Sylejman Sadiku 15 vjet dhe Burim Fazliu 10 vite burgim.

Pesë të liruarit me kusht Nazif Hasani, Ahmet Hasani, Samet Hajdari, Kamber Sahiti dhe Burim Fazliu kthehen në shtëpitë e tyre derisa gjykata të dërgojë vendimin në afatin dy mujor për vuajtjen e dënimit në burg.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›