Krasniqi mohon largimin nga Vetëvendosje

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi, gjatë ditës së djeshme i bëri një vizitë kandidates së AAK-së për kryetare të Istogut, Donika Kadaj- Bujupi. Ky veprim i Krasniqit e ka penguar dikë në Lëvizjen Vetëvendosje dhe të njëjtit mendojnë se deputeti në fjalë shumë shpejt mund t’a braktisë VV-në për të aderuar në AAK.
“Florin Krasniqi vetëm sa nuk e ka zyrtarizuar kalimin e tij në AAK. E gjithë kjo tollovi lidhet me pushtetin e dhënë brenda LVV nga Albin Kurti tek kandidati për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe tek problemet e fundit që lidhen direkt me mikeshën e tij Alma Lamën”, ka thënë për Indeksonline, në kushte anonimiteti një zyrtar i Vetëvendosjes.
Largimin nga VV-ja dhe aderimin në AAK e ka mohuar kategorikisht vetë deputeti Krasniqi.
“Nuk e di nga paska dal kjo propagandë, por e di që unë do të qëndrojë në Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë Krasniqi për Indeksonline.
Deputeti i VV-së dje gjatë ditës e ka vizituar kandidaten e Aleancës së Ramush Haradinajt, për kryetare të Istogut, Donika Kadaj- Bujupi, por thotë se ky takim ka ardhur pasi qe ka relacione të mira me disa individë brenda AAK-së dhe në veçanti në familjen Haradinaj.
“Nuk do të thotë vetëm pse kam relacione të mira me disa individë në AAK që unë do të kalojë në atë parti, përkundrazi, mendoj që AAK edhe aty ku e ka pasur pushtetin komunal nuk ka treguar ndonjë rezultat që duhet të krenohemi”, ka thënë Krasniqi, duke e mbrojtur partinë e tij për synimet që i ka.
“Lëvizja Vetëvendosje është e vetmja alternativë për të ardhmen e Kosovës”, ka thënë ai, por ka hedhur kritika për disa metoda që i praktikon kjo lëvizje.
“Jam kundër përdorimit të dhunës kundër njëri-tjetrit, jam kundër atakimit me Policinë e Kosovës dhe në këtë pikë sigurisht që nuk pajtohem me zyrtarët tjerë në VV”, ka deklaruar deputeti Krasniqi.
Ai thotë se, mund të ketë njerëz në VV që dëshirojnë të mos me shohin në parti, por unë ju themë atyre që nuk e kam ndërmend që të lëvizi nga partia.
Zyrtari i VV-së i cili nuk deshi të dal me emër tha se, deputeti Florin Krasniqi nuk ka qenë i pranishëm që dy muaj në mbledhje të partisë.
“Nuk kam pasur si të jem prezent në mbledhje kur unë për 7 javë kam qenë në Amerikë, te familja”, ka përfunduar ai./V.K /Indeksonline/