VV-ja denoncon vërshimet pranë “Rrugës B”

Pa marrë parasysh se në cilën stinë, sapo të fillojë të bie një rrebesh i shiut qytetarë të shumë pjesëve të Prishtinës duhet të përgatiten që të mbrohen nga vërshimet. Ishte nata mes 10 dhe 11 shtatorit kur shiu i radhës shkaktoi vërshimet e radhës. Problemin e shiut të djeshëm e ka adresuar Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje-dega në Prishtinë, duke e ilustruar me disa fotografi.
“Nuk është se të reshurat e shiut në Prishtinë janë të jashtëzakonshme, por rrjeti i kanalizimit është i jashtëzakonshëm. Rrjeti është jashtëzakonisht i dobët dhe i ndërtuar pa asnjë planifikim. Por absurdi më i madh është ai i të famshmes “Rruga B” në lagjen Mati 1. E proklamuar nga kryetari aktual i Komunës së Prishtinës si rrugë me standardet më të larta Evropiane, kjo rrugë po del të paraqes problemin e radhës për Prishtinën. Përpos vonesave në përfundimin e ndërtimit të “Rrugës B” dhe shkeljes së çdo afati në këtë drejtim të caktuar nga vetë Komuna, kjo rrugë ende duke u ndërtuar po i shfaq defektet tejet të rënda teknike”, konsideron VV-ja.
Sipas kësaj Lëvizje, sa herë që bie shi tek rrethrrotullimi ku bashkohen “Rruga B” me rrugën “Muharrem fejza”, uji vërshon lokale të shumta afariste (ndër to edhe barnatoret e lagjes) duke shkaktuar secilën herë netë pa gjumë për qytetarët që duhet të mobilizohen për të hequr ujin dhe dëme materiale të konsiderueshme.
“Pika e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Matin 1, qysh nga 8 korriku i vitit 2012 kur ngjashëm si tani vërshimet e dëmtuan këtë pjesë të lagjes , ka kërkuar që komuna ta sanojë këtë gjendje dhe të mos i lë qytetarët dhe afaristët në mëshirën e motit (reagimi i 8 korrikut 2012 http:/ëëë.vetevendosje.org/index.php?cid=1,107,4788) , mirëpo edhe pas më shumë se një viti pushteti komunal nuk e ka parë të udhës as që ta sanojë këtë gjendje e as që të paktën t’i vizitojë qytetarët e dëmtuar”, përfundon VV-ja. /Indeksonline/