E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi pret një delegacion nga Shqipëria

Prishtinë -Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi priti sot një delegacion të Inspektoratit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive të Shqipërisë, i kryesuar nga inspektori i përgjithshëm, Adriatik Llalla. Delegacioni shoqërohej edhe nga ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka, si dhe nga Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kosovare kundër Korrupsionit (AKK).

Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, në fillim të takimit kryeparlamentari Krasniqi vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira që janë vendosur ndërmjet këtyre dy institucioneve, pasi shkëmbimi i përvojave dhe ofrimi i ndihmës nga ana e Inspektoratit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive të Shqipërisë për AKK-në do të jenë me dobi të shumanshme.

Në vijim kryeparlamentari Krasniqi foli edhe për punën e Kuvendit të Kosovës në fushën e legjislacionit dhe domosdoshmërinë e luftës kundër korrupsionit. Nga ana e tij, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka theksoi se angazhimet për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy institucioneve të rëndësishme do të përkrahen gjerësisht.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›