E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi: Është bërë pak për të luftuar korrupsionin

Deklarata Kreu i Kuvendit: Drejtësia ka qenë në duart e ndërkombëtarëve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, deklaroi se procesi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë është politizuar shumë, megjithëse ka pranuar se gjatë viteve të kaluara ka pasur shumë pak veprime konkrete. Në një bisedë me BBC-në, zoti Krasniqi tha se çështja e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk duhet të mediatizohet dhe se sistemi i drejtësisë duhet ta kryejë detyrën mbi bazën e Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi. Por ai tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është reformuar dhe e cilësoi atë si të korruptuar, prandaj, sipas tij, ky sistem e ka të vështirë të vihet në krye të luftës kundër dukurive negative. Ai shprehu bindjen se, nëse sistemi i drejtësisë vepron mbi bazën e fakteve dhe të dëshmive, nuk do të ketë reagime në opinion, edhe në rastin e arrestimeve të paralajmëruara. Zoti Krasniqi tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është penguar nga zhvillimet e brendshme por, sipas tij, shtyrjet mund të kenë ndodhur për shkak të vonesës së shpalljes së vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Në intervistën dhënë korrespondentit të BBC-së në Prishtinë, Arbër Vllahiu, Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, duke iu referuar zhvillimeve të fundit theksoi se “gjatë gjithë këtyre viteve, sistemi i drejtësisë në Kosovë që, në një ose formë tjetër është drejtuar nga faktori ndërkombëtar, ka mbetur vërtet shumë i pareformuar, jo veprues. Deri tani është folur me të madhe dhe është shkruar se një nga sistemet më të korruptuara në Kosovë është sistemi i gjyqësisë, sidomos gjyqësia dhe asnjë hap konkret nuk ka pasur. Mund të them se një sistem, siç është gjyqësia, vetë e korruptuar, e ka të vështirë të marrë dhe ta udhëheqë luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe dukurive negative në shoqëri. Prandaj, ne nuk po e hedhim fajin askund por po themi se sistemi i drejtësisë nuk e ka politikëbërjen qëllim as për të pyetur opinionin se çfarë mendon, por e ka për obligim që të zbatojë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi për të luftuar të gjitha dukuritë negative”. Kreu i Kuvendit të Kosovës, duke kritikuar mënyrën e sjelljes së organeve që kontrollon EULEX-i, në intervistën për BBC, ka kërkuar që drejtësia të jetë në duart e institucioneve të Kosovës. “Do të ishte krejt normale dhe obligim parësor i drejtësisë kosovare që të kryente detyrën e saj, por po e përsëris se është për fat të keq se drejtësia kosovare nuk ka ndërtuar kapacitete, është vetë e korruptuar, prandaj në një masë ose tjetrën, ndoshta veprimi i EULEX-it, i gjyqësisë dhe prokurorisë së EULEX-it, është dashur të jetë më veprues edhe në vitin e kaluar”, theksoi Krasniqi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›